Presidenti amerikan, Joe Biden

Ambasada e ShBA-së tregon pse Kosova nuk u ftua në ‘Samitin e Presidentit Biden për Demokraci’

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka konfirmuar që Republika e Kosovës nuk do të jetë pjesë e “Samiti i Presidentit për Demokraci” që do të mbahet në dhjetor të këtij viti.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i ambasadës, Eric Brassil deklaroi se jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë iniciativë.

“Samiti i Presidentit për Demokraci është një nga iniciativat e shumta të SHBA-ve të fokusuara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut në mbarë globin. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë iniciativë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane për KALLXO.com.

Tutje sipas ambasadës, qëllimi i takimit ishte bashkimi i një grupi rajonal përfshirë demokracitë e mirë krijuara, në zhvillim dhe me diversitet të madhësisë së popullsisë.

“Qëllimi ishte bashkimi i një grupi rajonal dhe socio-ekonomik të vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë e mirë-krijuara dhe ato në zhvillim me diversitet të madhësisë së popullsisë, demografisë dhe vendndodhjes”, thuhet tutje në përgjigje.

Në përgjigjet e Ambasadës Amerikane, thuhet se ShBA-të mbesin të palëkundura për të bashkëpunuar me Kosovën.

“Siç vuri në dukje Presidenti Biden në fjalimin e tij  të gushtit, Kosova ka bërë “përparim të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit” duke ndërtuar një demokraci elastike dhe multietnike. Si partner i palëkundur i Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për të avancuar dhe forcuar demokracinë, për të parandaluar prapambetjen demokratike, për të promovuar respektin për të drejtat e njeriut dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë ofrojnë për nevojat e tyre”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane për KALLXO.com.

Nga Qeveria e Kosovës konfirmuan dje se kryeministri Albin Kurti është i pajisur me vizë amerikane dhe ai është duke e përgatitur një vizitë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

KALLXO.com ka provuar të marrë një koment edhe nga Qeveria e Kosovës në lidhje me mosftesën e Qeverisë së Kosovës në këtë samit, por deri më tani, nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë kthyer përgjigje.

Gazeta “Politico”: Samiti për Demokraci, Biden s’e fton Kosovën