Arkiv - Seanca në rastin "Gylenistët"

Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarve në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq

Në rastin “Gylenistët” sot gjykimi parashihej që të vazhdohej me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit, por pas qëndrimit të palës së dëmtuar, seanca u ndërpre.

Të njëjtit në seancën e kaluar kishin shprehur qëndrimin e tyre që dhënia e mbrojtjes nga të akuzuarit të bëhet vetëm para prokurores së rastit Habibe Salihu, e cila sot nuk ishte prezent dhe zëvendësohej nga prokurorja Florie Shamolli.

Për këtë rast të akuzuar janë  tre zyrtarë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe se kanë privuar kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetas turq në vitin 2018.

Me të filluar gjykimi për këtë rast, gjykata fillimisht njoftoi palët në procedurë se kishte vendosur lidhur me propozimet për administrim të provave të paraqitura nga mbrojtësi i palës së dëmtuar avokati Urim Vokshi.

Kështu që gjykata njoftoi se kishte aprovuar propozimin e mbrojtësit Vokshi që si provë materiale të lexohet raporti i inspektimit të jashtëzakonshëm nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Kurse u refuzua propozim i mbrojtësit Vokshi që si provë të administrohet komplet dosja e rastit të Jordanisë, dhe u refuzua që si provë materiale të administrohet komunikimi zyrtar përmes emailit në mes Valon Krasniqit, Shkodran Manaj dhe Qazim Susurit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK