Anulohet seanca gjyqësore për rastin e njohur si “Gylenistët”

Seanca gjyqësore e cila ishte paraparë që të mbahet sot në rastin e njohur për publikun si “Gylenistët”, është anuluar.

Anulimi i seancës ka ardhur për arsye personale të kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zyra e gjyqtares së rastit.

Për këtë rast të akuzuar janë Driton Gashi, ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë; drejtori i Departamentit të Shtetësisë, Valon Krasniqi dhe drejtori i Migracionit, Rrahman Sylejmani; të cilët akuzohen për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të vitit 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Lidhur me anulimin e seancës palët në procedurë ishin njoftuar paraprakisht.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK