EULEX prezanton raport nga monitorimi i sistemit të drejtësisë, Foto: KALLXO.com

Raporti i EULEX: 8 raste të veprave penale ndaj gazetarëve, 5 prej tyre po trajtohen në gjykata

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë – EULEX, ka prezantuar raportin e tretë publik të Monitorimit Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë.

Gjetjet e këtij raporti, i prezantoi Shefi i Njësisë së EULEX për monitorim të rasteve, Hubert van Eck Koster.

Ai njoftoi se për këtë periudhë kohore, misioni ka monitoruar 352 seanca, e prej tyre vetëm 91 ishin jo produktive. Sipas Koster, raporti tregon se arsye kryesor e dështimit të seancave është mungesa e të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre.

Raporti përmban edhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Një ndër rekomandimet e raportit në lidhje me këtë çështje është gjobitja e avokatëve mbrojtës për zvarritje të procedurës. Koster njofton se prej 253 seancave të monitoruar, 169 ishin raste të profilit të lartë.

Objekt trajtimi si risi në këtë raport, janë edhe krimet kundër gazetarëve, ku gazetarët janë viktimat e veprave penale.

Gjatë kësaj periudhe të raportimit, EULEX ka informata për 8 raste të krimeve të kryera kundër gazetarëve të raportuara në polici e 5 prej tyre kanë arritur në gjykatë.

Ky raport, i cili e mbulon periudhën prej muajit nëntor 2021 deri në shtator 2022, përfshin gjetje sistematike dhe tematike të shoqëruara me rekomandime të përshtatura për autoritetet përkatëse për mënyrat e adresimit të disa aspekteve ku janë identifikuar mangësi.

Në konferencën e EULEX në të cilën u prezantuan gjetjet e raportot, morën pjesë Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Shefi i Misionit të EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, Shefi i njësisë së EULEX për monitorim të rasteve, Hubert van Eck Koster, zv.drejtori i përgjithshëm për resurse i policisë së Kosovës, Dejan Jankovic.

Të ftuar të merrnin pjesë në këtë konferencë ishin edhe kryesuesi i KGJK-së dhe KPK-së, si autoritete kompetente të sistemit të drejtësisë, mirëpo të njëjtin munguan në këtë event.

Hapjen e konferencës e bëri Shefi i Misionit të EULEX në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, i cili specifikoi se ky raport mbi monitorimin e drejtësisë, identifikon disa zhvillime të fundit dhe janë relativisht inkurajuese në zbatim të drejtësisë në Kosovë.

I njëjti potencoi se në konferencë nuk ka prezencë të kryesuesve të këshillit gjyqësorë dhe prokurorial mirëpo shprehi se beson se autoritetet vendore do të pranojnë këtë raport me një pikëpamje konstruktive.

“Nuk ka prezencë të Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial edhe pse ky raport ka të bëjë drejtpërdrejt me ta, mirëpo na vjen mirë qe është prezent Policia e Kosovës këtu “ – tha Wigemark, Shefi i Misionit të EULEX.

Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pati rastin të shpreh mendimin e saj në lidhje me këtë raport dhe shprehu gatishmërinë e ministrisë në hartimin e politikave të duhura për sundimin e ligjit në vend madje ju bëri thirrje autoriteteve vendore që t’i respektojnë ato.

“Qeveria ka për obligim që të hartojë politikat për mbrojtje të viktimave të dhunës mirëpo policia, prokuroria, gjykatat duhet të kryejnë dhe respektojnë ato, dhe kjo nuk është ndërhyrje në pushtet por ju bëj thirrje autoriteteve që të kryejnë punën e tyre” – tha Haxhiu.

Në anën tjetër ajo falënderoi Misionin e EULEX për kontributin e tyre në përmirësimin e vendit dhe shprehu keqardhje për mos prezencën e përfaqësuesit e KGJK-së dhe KPK-së.

“Mua më vjen keq që nuk i kemi këtu përfaqësuesit e KGJK-së dhe KPK-së por të paktën uroj që ata do ta lexojnë këtë raport” – tha Haxhiu në konferencë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimin për ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Kryetarët e gjykatave kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të anuloj vendimin e datës Nr. 03/109 të datës 23 nëntor 2022”- thuhet në vendim.

Tutje në vendim thuhet që puna e gjykatave do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale.

Qeveria e Kosovës të mërkurën mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

KGjK kërkon anulimin e vendimit për ulje të pagave: Do të reduktojmë punën vetëm me shërbime esenciale