Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Raporti i Bankës Botërore: Vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, kanë një skemë për pagesën e papunësisë

Një raport të Bankës Botërore për ndikimin social-ekonomik të CoVid-19 në Ballkanin Perëndimorë thuhet se virusi po prek tregjet e punës dhe mundësitë e njerëzve për punësim në mbarë Ballkanin Perëndimorë, ndaj vendet po rritin mbështetjen e tyre për familjet e prekura.

Sipas këtij rasti, në një periudhë afatshkurtër, të gjitha vendet kanë zgjeruar mbështetjen për familjet e varfra duke rritur ose përfitimet ose numrin e përfituesve të programeve të synuara të varfërisë, ose duke zbatuar programe universale të transferimit të parasë.

Raporti i BB-së thotë se vendet po nxisin mbështetjen për të papunët dhe programet që ndihmojnë firmat t’i mbajnë punonjësit në punë.

“Në periudhën afatmesme, do të jetë me rëndësi që të vazhdohet mbështetja për programet kundër varfërisë dhe t’u ofrohet përkrahje të papunëve. Gjithashtu, duhen zgjeruar Programet Aktive të Tregut të Punës, pasi kërkesa për punë do të ketë zhvendosje midis sektorëve dhe shumë punonjësve do t’u duhet të ritrajnohen e të mbështeten për të gjetur punësim të ri. Është e qartë që duhen bërë kompromise financiare midis programeve dhe në kohë dhe duhen caktuar përparësi për shpenzimet. Do të jetë me rëndësi të përmirësohet veprimi i përqendruar, ndërkohë që garantohet financimi afatgjatë i mbrojtjes sociale, si dhe të kufizohet kohëzgjatja e programeve të subvencionimit të pagave, që janë të kushtueshme”, thuhet në raport.

Raporti ka parashikuar që në një periudhë afatmesme mund të lindë nevoja të rishikohen edhe nivelet e përfitimit të pagës së papunësisë, ndihmës sociale dhe pensioneve, sidomos, për pagesat e përkohshme shtesë, që shoqërojnë masat e reagimit ndaj krizës.

“Përpos largimeve nga puna, ka mundësi që të bëhet një korrigjim i pritshëm i pagave duke ishkurtuar dhe ulje të orëve të punës. Për rrjedhojë, është e nevojshme që të ofrohet mbështetje emergjente për familjet, për të përkrahur si familjet formale, ashtu edhe ato joformale të prekura nga goditja, përmes masave të zgjeruara të ndihmës sociale dhe sigurimeve shoqërore”, thuhet në raport.

Sipas raportit të Bankës Botërore, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë njoftuar subvencionimin e pagave për të mbështetur punësimin.

Ndërsa në Serbi, qeveria ka deklaruar se do të mbulonte pagat e tre muajve për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

“Në ndërmarrjet e mëdha, të gjithë punonjësve kontrata e të cilëve ka përfunduar për shkak të krizës do t’u paguhet 50 për qind e pagës minimale. Në Kosovë, pagat mujore do të mbulohen për muajt prill dhe maj me një vlerë të barabartë me pagën minimale, një masë e cila llogaritet në 41 milionë euro. Në Maqedoninë e Veriut, është deklaruar se do të subvencionohen pagat (sërish, në vlerën e pagës minimale) për 9 000 punonjës artizanalë dhe rreth 250 000 punonjës të firmave të sektorit privat, që regjistrojnë të paktën 30% rënie në të ardhura për shkak të krizës. Në Malin e Zi, është njoftuarsubvencionimi i pagës për dy muaj deri në vlerën 100% të pagës minimale për të gjitha firmat në sektorët e prekur, si dhe një subvencionim gjashtëmujor i pagës për punësimin e deklaruar rishtas në të gjithë sektorët, për të nxitur formalizimin e punësimit”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Raporti tutje ka bërë të ditur se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë, me përjashtim të Kosovës, kanë një skemë për pagesën e papunësisë.

“Kriza e CoVid-19 pritet të rritë në mënyrë të konsiderueshme papunësinë në të gjitha vendet dhe pasja e këtyre sistemeve përbën një avantazh mjaft të mirë reagues. Megjithatë, kriza do të kërkojë disa ndryshime në konceptim. Sistemet mund të duhet të japin përkohësisht përfitime shtesë apo të lehtësojnë disa prej kushteve të kualifikimit, me qëllim që t’i përgjigjen rritjes të beftë të papunësisë. Po kështu, qeveritë duhet të përforcojnë kapacitetet administrative të pagesës së papunësisë dhe shërbimeve publike të punësimit, për t’iu përgjigjur rritjes së kërkesës për shërbimet e këtyre të fundit, lehtësimit të regjistrimit të statusit të papunësisë dhe përpunimit të pagesave. Ka gjasë që periudhat e pritjes të hiqen e procedurat të integrohen, për të ulur kohën e pritjes”, thuhet në raport.

Banka Botrëore në raportin për ndikimin social- ekonomik të CoVid-19 në vendet e Ballkanit Perendimor ka bërë të ditur se faza e rimëkëmbjes afatmesme paraqet një mundësi për forcimin e sistemit të mbrojtjeve sociale, për t’i bërë më të qëndrueshëm e për të rritur aftësinë e tyre reaguese ndaj krizave të ardhshme me kosto efektive.

Sipas raportit një nga shembujt janë subvencionet e pagave.

“Në shumë vende të BE-së, shteti paguan vetëm për numrin aktual të punonjësve që nuk punojnë ose për shkurtimin e orëve të punës dhe ka ligje në fuqi që i lejojnë firmat dhe shtetin të ulin përkohësisht rrogat/pagesat e punonjësve që janë pushuar përkohësisht nga puna. Këto ligje dhe aftësia monitoruese, për të cilën duhet që bazat e të dhënave të sigurimeve shoqërore dhe listëpagesave të jenë të mirintegruara dhe të përditësuara, mungojnë në shumë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ende do të duhet të mbështeten në subvencione të përgjithshme pagash shumë më të kushtueshme dhe më pak efektive”, thuhet në raport.

Një argument i ngjashëm sipas Bankës Botërore mund të vlejë edhe për regjistrat social dhe procedurat e kompjuterizuara të regjistrimit/verifikimit.

Sipas raportit regjistrat social bëjnë bashkë informacionet e bazave të të dhënave nga disa ministri, për të mbajtur një informacion të përditësuar jo vetëm rreth përfituesve të programeve të ndihmës sociale, por edhe rreth popullsisë së përgjithshme. Regjistrat social të përpiluar si duhet mund të ndihmojnë, për rrjedhojë, me identifikimin e grupeve të popullsisë që janë prekur posaçërisht nga krizat dhe të përshpejtojnë procedurat e regjistrimit dhe verifikimit të tyre”, thuhet në raport.