Raporti financiar i RTK-së për vitin 2019 nuk kalon në Komisionin Parlamentar

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka shqyrtuar raportin vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2019.

Kryetari i bordit të RTK-së, Sali Bashota, tha se kanë pasur probleme në vazhdimësi në marrje të vendimeve për shkak të mungesës së kuorumit dhe është ankaur për mungesë të infrastrukturës për kryrje të punëve si duhet.

“Ky raport reflekton të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me periudhën janar-dhjetor 2019, periudhë kjo kur bordi nuk ka pasur ekip të kompletuar prej 11 anëtarëve, por me shtatë të tillë, kurse në muajin dhjetor ka mbetur me pesë anëtarë. Në këtë raport të hyrat kryesisht kanë të bëjnë me shpenzime, pra pagat, mëditjet, shpenzimet komunale, shpenzimet kapitale të cilat jemi munduar t’i kemi sa më transparente, këtë e ka vërtetuar edhe raporti i auditorit. Duhet të dimë edhe faktin që RTK punon në kushte jo të mira infrastrukturore, gjë që ndikon edhe në performancën në punë”, ka thënë Bashota.

Deputeti Veton Berisha kërkoi nga bordi i RTK-së që t’i jepet më shumë qasje komunitetit egjiptian.

“E mbështes raportin dhe ndihem mirë kur ka edhe programe për minoritete, për vite me radhë kemi qenë të përfshirë në kuadër të redaksisë rome dhe këto 3 vitet e  fundit ja kemi dal ta kemi një emision që i përket komunitetit egjiptian me probleme esenciale, sepse nuk ka redaksi. Ne mungojmë në RTK 2, 3 dhe 4, prandaj e lus bordin të marr hapa në këtë drejtim”, ka thënë Berisha.

Kurse, kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati, e ka konsideruar si të papranueshëm këtë raport dhe që nuk vlen të miratohet. Ai ka përmendur disa prej shpenzimeve buxhetore të buxhetit gjat vitit 2019.

“Kemi filma nga Topshop 115 mijë euro, të drejta të transmetimit për Universal Music Group 55 mijë euro, të drejta të transmetimit për filma dokumentar 87 mijë euro, programi ‘Gjyshet milionere’ 75 mijë euro, seriali ‘Pleqtë’ 134 mijë euro, emisioni ‘Udhëtim me shije’ 60 mijë euro, Emisioni ‘Jeta dhe Drejtësia në Kosovë’ 54 mijë euro, kjo me dijeninë që kam është ofruar falas për këtë vit por që është refuzuar, emisioni ‘ISTAR’ 216 mijë euro, emisioni ‘Rrënjë tona’ 54 mijë euro, bashkëpunime programore në disa emisione mbi 200 mijë euro, kontrata për shërbime programore për projekte të ndryshme 251 mijë euro, korrespodentura për radio 52 mijë euro, shpenzime të udhëtime zyrtare mbi 100 mijë euro, shpenzime përmbarimore 130 mijë euro, interneti 112 mijë euro, 9 mijë euro në muaj, kompjuterë 220 mijë euro”, tha Murati.

Ai tutje foli edhe për borxhet, rastet në gjykata që i ka televizioni publik dhe paaftësinë e stafit për të bërë programe.

“Keni borxhe të akumuluara, raste në gjykata për kontrata të nënshkruara pa logjikë dhe llogaridhënie, borxh 3.6 milionë euro. E gjitha kjo tregon për një menaxhim skandaloz financiar. Rreth 170 pozita nga afër 900 marrin paga mbi 1000 euro. Duke marrë parasysh që RTK ka rreth 900 punëtorë dikush nuk po e kryen punën si duhet pasi ka kaq shumë programe të blera”, ka thënë Murati.

Kurse drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, tha se RTK e ka me ligj që deri në 20% të programeve t’i ketë të kësaj natyre dhe u arsyetua se gjatë kësaj kohe nuk ka qenë në krye të RTK-së.

“Ka qenë muaji i pestë i vitit 2019 dhe këto të gjitha kanë qenë në proces, pra shpenzimet e vitit 2019 sepse unë kam marr mandatin si drejtor në gjysmë të vitit dhe të gjitha këto shpenzime kanë qenë të planifikuara.  Nuk e di për çfarë arsye ndahen këto shpenzime në këto kategori, por jam munduar që të menaxhoj sa më mirë prej ditës kur e kam marr mandatin. Ne kemi arritur ta stabilizojmë gjendjen financiare, për këtë kemi edhe një raport të Auditorit ku janë paguar më shumë se 1 milion euro borxhe nga mbi 4 milionë sa kanë qenë. Shumica e kontratave që i përmendët kanë qenë dyvjeçare dhe shumicën prej tyre unë i kam ndërprerë”, ka thënë Kastrati.

Kastrati foli edhe për kategoritë buxhetore të lartpërmendura.

“Për të gjitha kategoritë që u përmenden mund të jepen sqarime, si rasti me Filma të Topshop, kjo ka përfunduar në qershor 2019, pasi ka qenë kontratë dy vjeçare, projekti “Gjyshet milionere” ka qenë një projekt i përbashkët me TVSH-në, të drejtat për filma dhe dokumente i marrim për tre vite, deri në shtator 2019 ka qenë “Rrënjët tona”, ka shtuar tutje Kastrati.

Në këtë komision nuk është miratuar ky raport i vitit 2019 dhe ka dështuar votimi në parim i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021 , për shkak të mungesës së kuorumit.