Ramush Haradinaj nuk e pret në zyrë Lajçakun, zyrtarët e partisë thonë se kritikuan qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka vizituar edhe partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Por, në këtë takim nuk është parë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Nikoqir të Lajçak ishin zyrtarët e partisë, Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj dhe Selim Selimi që të tre anëtarë të kabinetit qeveritar të Avdullah Hotit.

“Në selinë qendrore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zyrtarët e partisë Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj e Selim Selimi, sot kanë pritur në takim të dërguarin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, me të cilin u diskutua kryesisht për procesin e dialogut dhe qëndrimin e AAK-së mbi këtë çështje”, ka njoftuar AAK në Facebook.

Siç është thënë në njoftim, AAK ka mirëpritur angazhimin e ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi ndërsa, siç është thënë në njoftim, dialogu duhet të përfshijë njohjën reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“AAK, z. Lajçak i ka shprehur qëndrimin e pandryshuar për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative, e cila për rezultat duhet të ketë njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë në kufijtë ekzistues, ndërkohë që ka vlerësuar pozitivisht përfshirjen e SHBA-së në proces, me besimin që roli i tyre do ta dinamizojë dhe do ta përmbyllë këtë çështje disavjeçare”, thuhej tutje në njoftim.

“Zyrtarët e AAK-së kanë mbajtur qëndrimin kritik ndaj BE-së për thyerjet e brendshme në raport me Kosovën, ku është folur edhe për ndryshim territoresh, gjë që ka lëkundur besimin e AAK-së, por përpjekjet e serishme të BE-së, nën udhëheqjen e SHBA-së në këtë proces, janë të përshëndetura”, thuhet në deklaratën e partisë së Ramush Haradinajt.

“Po ashtu, në takim nga z. Lajçak u kërkua edhe heqja e regjimit të vizave, ngase kriteret e vendosura nga BE tanimë janë plotësuar nga Kosova”, thuhet në fund të njoftimit.

Lajçak sot gjatë ditës ka takuar edhe përfaqësuesit e partive, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK. Ndërsa, dje gjatë ditës ka zhvilluar takime të ndara me presidentin, Hashim Thaçi, kryeministrin, Avdullah Hoti dhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.