“Ramë Lahaj and Friends” nesër në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë

Tenori shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj në një konferencë për media ka njoftuar më shumë lidhur me koncertin “Ramë Lahaj and Friends” që do të mbahet nesër në Sheshin ‘Skenderbeu’ në Prishtinë.

Lahaj tha se pritet që koncerti do të dalë jashtë pritshmërive të këndimit.

“Festivali ka me dalë edhe jashtë specifikës së këndimit, është e rëndësishme mbështetja e institucioneve, dhe po shpresoj që kanë me e kuptua që nisma të tilla janë të rëndësishme dhe ne nuk është se kemi mjaftueshëm kuadro”, tha ai.

Tenori i mirënjohur tha po ashtu së është kënaqësi e madhe që pjesëmarrës në koncert janë edhe artistë tjerë ndërkombëtar.

“Jam tejet i kënaqur që në këtë edicion të parë me pas prezent artist si Jessica Nuccio, Davide Giusti e plotë artist të tjerë”, shtoi ai.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe sopranoja Lana Kos edhe baritoni, Simone Piazzola, që njëherësh do jenë shoqërues të artistit.

Lana Kos, u shpreh se është e privilegjuar dhe se është shumë bukur të ndaj skenën së bashku me Ramë Lahaj.

Ndërsa, Simone Piazzola, tha se dita e shtunë do të jetë madhështore dhe magjike duke u bazuar në provat që kanë mbajtur sot.

“Është nder i madh për mua që të jem këtu, jemi njohur me Ramën në Madrid. Shpresoj që së shpejti të jem në skenë me të dhe me Ramën jemi një familje sepse kemi nisur të ndajmë skenën së bashku. Në këtë koment historik me një vështirësi të madhe të jesh këtu para jush, është diçka unike, mund të thuhet edhe e rrallë”, tha ai.

Ndërsa Besa Luzha, producente tha se interesimi për këtë koncert është shumë i madh dhe biletat thuajse janë shitur tashmë, porse kapaciteti i ulëseve është rreth 3 mijë sosh.

Koncerti “Ramë Lahaj and Friends” do të mbahet për herë të parë të shtunën me datë 7 gusht në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë.

Ramë Lahaj mban koncert në Prishtinë, themelohet festivali me emrin e tij