Kryeministri Edi Rama gjatë një deklarate për mediat. Foto: LSA

Rama premton kapitull të ri për Shqipërinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin të mbajtur në seancën plenare ku pritet të votohet qeveria e tij për herë të tretë, tha se synon që Shqipërinë ta bëjë lidere ekonomike në Ballkan.

I fokusuar tek turizmi, eksporti i energjisë elektrike dhe rritja e pagave, kryeministri tha se “duhet t’i japim një shtysë të fortë sektorit të prodhimit për të mbyllur ciklin e prodhimit brendapërbrenda dhe duke kaluar në një stad tjetër që rritë kapacitetet dhe pagat për shkak të cilësisë”.

“Kemi fituar numerikisht të gjitha vendet e humbura të punës, madje me rritje në disa sektorë. Kemi rritje të të ardhurave, konsumit si rezultat i rritjes së fuqisë blerëse. Kjo është një periudhë rikthimi pas një periudhe tërheqje dramatike për shkak të pandemisë. Nuk duam që ky ritëm të bjerë deri në fund të 4 vjeçarit nën dyshemenë e 4% mesatare rritje ekonomike vjetore”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë po ashtu theksoi se Reforma në Drejtësi është thelbësore, ku nënvizoi se “askush që ka llogari të hapur me ligjin nuk fle më i qetë.”

Rama përsëriti se është i hapur për bashkëpunim me Partinë Demokratike në opozitë, duke thënë se qeveria e tij është e gatshme të mërret vesh për çkado që i shërben për të mirë vendit.

“Të jemi të qartë, ne nuk duam asnjë lëshim nga ju, por jemi gati të dialogojmë me ju për çdo lëshim që ju doni, ne nuk na duhet asnjë votë e juaja, ne nuk synojmë të arrijmë asnjë kompromis që ju nuk e dëshironi, por jemi gati të merremi vesh me ju për çdo gjë që ju dëshironi dhe i bën mirë vendit, njerëzve, të ardhmes”, deklaroi kryeministri.

Njëra nga pikat tjera ku u vu theks i veçantë në fjalimin e Ramës ishte edhe projeki për Ballkanin e Hapur, një iniciativë që deri vonë njihej si mini-Shengeni i Ballkanit.

Ai tha se “Ballkani i Hapur” nuk është lojë e Serbisë, as plan konspiracioni me Rusinë e Kinën, dhe kritikoi Kosovën që refuzon të jetë pjesë e iniciativës.

“Ne nuk na intereson se sa do të fitojë Serbia, por se sa do të fitojë Shqipëria. Serbia duhet të kërkojë falje dhe këtë nuk e luan topi, por te kërkesa e faljes nuk arrihet duke u izoluar mbrapa barrikadës së një lufte imagjinare. Arrihet duke u rënë dakord për gjëra që janë në dobi të mirëqenies ekonomike dhe sociale”, nënvizoi Rama.

Mes tjerash, Rama tregoi për disa reforma tjera të rëndësishme që Shqipëria do t’i bëjë gjatë qeverisjes së tij të tretë, që përfshijnë edhe mbrojtjen e ambientit, duke filluar nga ndalimi i qeseve të plastikës, futjen e gjuhës angleze që nga klasat e para në shkolla fillore dhe digjitalizimin e vendit.

Kuvendi i ri i Shqipërisë që pritet të votojë qeverinë “Rama 3” përbëhet nga Partia Socialiste që fitoi 74 mandate, Partia Demokratike 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 dhe Partia Social-Demokrate 3 mandate. /REL