Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama paralajmëron krizë energjetike

Kryeministri Edi Rama shpalli një krizë energjetike për Shqipërinë, shpalosur një analizë gjeostrategjike ndërkombëtare por duke refuzuar të flasë për gjendjen e menaxhimit të burimeve energjetike në vend apo të korporatave të shërbimit të energjisë elektrike. Rama nuk përmendi gjithashtu mundësinë e rritjes së çmimeve për konsumatorët dhe bizneset ndërsa deklaroi se qeveria e tij ka në prioritet “të mbrojë të varfrit”.

Në një deklaratë të transmetuar në median kryesore dhe në Facebook, të cilin Rama e prezantoi si “Mesazh drejtuar të gjithë shqiptarëve,” Rama shpalli se kriza e re energjetike do të jetë po aq e fortë sa tërmeti, sa pandemia.

“Kjo krizë e re na vendos me detyrim-përcaktim para një sprove të re, po aq të fortë sa tërmeti, dhe sa pandemia në aspektin ekonomik e social,” deklaroi Rama, i cili e mbajti deklaratën pa praninë e gazetarëve dhe për rrjedhojë, pa pasur nevojë t’i përgjigjet pyetjeve mbi gjendjen energjetike të brendshme.

Bota po përballet aktualisht me pamjaftueshmëri burimesh energjetike të nevojshme për prodhimin e energjisë elektrike. Në Kinë dhe në Indi, mungesa e qymyrit ka sjellë mangësi në prodhimin e energjisë elektrike dhe me ndërprerje të furnizimit të rregullt. Në Francë, qeveria ngriu çmimet e gazit me qëllim që të mos rëndojë më tutje konsumatorët ndërsa në të gjithë Evropën, çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike janë rritur me ritme marramendëse.

Kryeministri Rama dha gjatë fjalës së tij një analizë të shkurtër mbi faktorët gjeostrategjikë, makroekonomikë apo mikroekonomikë të vështirësive ndërkombëtare për furnizim me energji por nuk shpjegoi se si këto vështirësi përcillen në Shqipëri.

“Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm, qëndrojnë sot para të gjitha vendeve, si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara,” deklaroi Rama.

“Për shumë studiues e analistë financiarë, kjo krizë energjie është e ndryshme nga të tjerat. Ajo lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për t’i frenuar ato, por po ashtu edhe me një kombinim faktorësh të tjerë,” shtoi ai mes të tjerash, pa tentuar të shpjegojë se në çfarë gjendjeje financiare janë kompanitë publike të prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe tregtimit të energjisë dhe se në çfarë mase, një rritje çmimi në energjinë e importuar do të ndikojë në koston e përgjithshme të furnizimit të Shqipërisë me energji.

Shqipëria prodhoi gjatë vitit të kaluar 5.3 miliardë kWh ndërsa importoi 2.3 miliardë ose 30% të konsumit. Shqipëria vijon të humbasë më shumë se një në çdo 5 kWh të hedhura në rrjet ose 21.5% të totalit. Humbjet normale duhet të jenë 4 apo 5%, por reformat e njëpasnjëshme në sektor, përfshirë edhe atë famëkeqen të kryeministrit aktual më 2015 që solli burgosjen e mijëra qytetarëve, nuk kanë ndihmuar për të ulur humbjet në kuotat normale.

Gjendja financiare e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes Group, kompania më e madhe e sistemit, është e pamundur të dihet për shkak se kjo kompani refuzon të respektojë detyrimin ligjor për publikimin e bilancit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit, detyrim që e kanë të gjitha kompanitë në Shqipëri, shtetërore apo private. Po kështu nuk dihet as gjendja e rezervës energjetike në kaskadën e Lumit Drin.

Shifrat e fundit të publikuara tregojnë se gjashtëmujori i parë i këtij viti ka qenë shumë fitimprurës. Shqipëria ka prodhuar 6 miliardë kWh energji dhe ka konsumuar 4.3 miliardë, për periudhën janar-qershor, duke eksportuar diferencën prej 1.74 miliardë kWh. Niveli i Fierzës në muajin qershor, muaji i fundit për të cilin të dhënat janë të disponueshme të publikuara nga ERE, ishte 291.7 metra mbi nivelin e detit. Kjo është më e lartë se sa mesatarja historike prej 289.5 metra, gjë që sugjeron se prodhimi hidroenergjetik në vitin 2021 ka gjasa do të jetë më i lartë se sa zakonisht.

Gjatë katër viteve të fundit (2016-2020), Shqipëria ka importuar mesatarisht 1.3 miliardë kWh. Me çmimet aktuale të importit, (250 euro për MWh), Shqipërisë do t’i duhet të shpenzojë 332 milionë euro për të mbuluar një deficit të tillë.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria përballet me krizë energjetike. Në mënyrë tipike kriza të tilla godasin vendin menjëherë pas zgjedhjeve. Në fund të vitit 2001 dhe përgjatë vitit 2002, Shqipëria u përball me një krizë energjetike kur kapacitetet importuese të vendit mungonin ndërsa hidrocentralet ishin zbrazur para zgjedhjeve të vitit 2001, duke krijuar përshtypjen e një suksesi në menaxhim që nuk ekzistonte.

Në fund të vitit 2005, qeveria e djathtë akuzoi qeverinë paraardhëse socialiste se e kishte sabotuar duke zbrazur rezervën energjetike të vendit dhe duke lënë vendin pa drita. Në vitin 2007, një krizë tjetër energjetike, supozohet e shkaktuar nga një “gabim njerëzor” në planifikimin e shfrytëzimit vjetor të kaskadës së Drinit dhe mosmiratimit në kohë të ndryshimeve ligjore të nevojshme për të tenderuar energji importi, u shoqërua me shumë orë mungesë dritash dhe me gati 200 milionë euro importe të prokuruara në përgjithësi pa tender nga një numër tregtarësh të regjistruar në një larmishmëri parajsash fiskale, përfshirë Svazilandin. (reporter.al)