Edi Rama dhe Albin Kurti, Foto: ZKM

Rama: Çdo sulm mbi Kosovën është sulm mbi Shqipërinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 14.02.2024 se nuk diskutohet që Shqipëria qëndron pranë Kosovës në çdo rast, edhe nëse gjërat shkojnë në pikën ku në mes janë armët.

Ai ka thënë se çdo sulm mbi Kosovën është sulm mbi Shqipërinë.

Ndërsa ka theksuar tutje se Kosova ka aleatë strategjikë pa të cilët nuk do të ekzistonte si shtet.

“As nuk diskutohet se Shqipëria ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje edhe nëse, mos e dhëntë Zoti, gjërat shkojnë në pikën ku në mes nuk është më fjala, por armët. Por, ama, nga ana tjetër, vetëdija se edhe kështu mund të ndodhë nuk ka asgjë të keqe që kryeministri dhe presidentja e Kosovës e shprehin edhe këtë si mundësi nuk duhet të pengojë askënd në Kosovë që të ndërtojmë të ardhmen duke menduar dhe punuar për atë që të thash më parë se si ta bëjmë Shqipërinë dhe Kosovën një realitet të respektuar, që aleatët tanë strategjikë të kenë besim të plotë… Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe nuk është thjesht një entitet gjeografik apo shtetëror që ka këtë lidhje speciale me Kosovën, dhe çdo sulm mbi Kosovën është sulm mbi Shqipërinë. Por, nga ana tjetër, mos të harrojmë asnjëherë, dhe për këtë arsye duhet me i pasë parasysh të gjitha kur ndonjëherë e kalojmë masën në raport me aleatët se Kosova nuk është vetëm, jo vetëm që ka Shqipërinë por ka aleatë strategjikë pa të cilët Kosova nuk mund të ekzistonte si shtet dhe me të cilët Kosova mund t’i arrijë të gjitha. Për këtë arsye duhet të mendojmë për peshën e aleatëve edhe kur je në një paqe të plotë e jo më në një proces si ky kur ke nevojë për sa më shumë miq dhe kur të humbasësh miq apo të ftohësh zemrën e miqve është gjeja me e pakëshillueshme e mundshme” – ka deklaruar Rama në ATV.

Ndërsa, tha se liderët në Kosovë por edhe Shqipëri duhet të mendojnë për të ardhmen që vendet të bëhen më të respektueshme në rrafshin ndërkombëtar.

(Shënim: Ky artikull është edituar në ora 23:15, më 14.02.2024, me ç’rast është përfshirë deklarata e plotë e kryeministrit Edi Rama)