Lumi Ibër në Mitrovicë, Foto: KALLXO.com

Qytetarët të shqetësuar për shterjen e Ibrit, institucionet në Mitrovicë me qëndrime kundërthënëse

Komuna e Mitrovicës së Jugut ditë më parë kishte njoftuar për shterjen e lumit Ibër në këtë komunë.

KALLXO.com ka qëndruar në hapësirat rreth lumit dhe ka parë gjendjen nga afër të shterjes së tij. Rreth zonës janë parë edhe mbeturina.

Institucionet përkatëse kanë qëndrime të ndryshme për arsyet që çuan në gjendjen aktuale të lumit, duke përmendur punimet në Liqenin e Ujmanit e ndërtimin e urës në Liqenin Akumulues.

Ndërkaq, qytetarët e vlerësojnë gjendjen e lumit si tejet të rëndë edhe për shkak të mbeturinave. Ata shprehen të shqetësuar edhe për ngordhjen e peshqve.

Lumi Ibër në Mitrovicë, Foto: KALLXO.com

Më 23 korrik, Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se është ndaluar rrjedha e ujit nëpër shtratin e lumit Ibër, duke ndodh kështu shterimi i tij.

Në njoftim thuhet se arsyeja e mungesës së ujit është për shkak të punimeve të zhvilluara në Liqenin e Ujmanit.

“Komuna e Mitrovicës ka kërkuar sqarim dhe sipas informatave nga organet kompetente arsyeja e mungesës së ujit është për shkak të punimeve të zhvilluara në Liqenin e Ujmanit”- thuhej në njoftimin e tyre.

Në anën tjetër, Kryeshefi i ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka thotë se asnjë punim nuk është zhvilluar në liqenin e Ujmanit.

“Kam komunikuar personalisht me ta dhe e kam shprehur pakënaqësinë time. Po ashtu kam kërkuar edhe nga MMPHI ta hulumtojë këtë rast dhe të del me një raport zyrtar sepse jemi etiketur edhe publikisht pa pasur as më të voglin faj vetëm për t’u mbuluar paaftësia dhe mosdija e dikujt tjetër”- ka thënë ai.

Sipas Mujkës arsyeja kryesore e shterimit të lumit Ibër janë punimet tek ndërtimi i urës në Liqenin Akumulues dhe hapja e portave të liqenit.

“Arsyeja kryesore janë punimet tek ndërtimi i urës në Liqenin Akumulues në Mitrovicë Operatori në bashkëpunim me Komunën ose jo (personalisht nuk kam të dhëna) kanë hapur portat e liqenit për ta zbrazur atë në mënyrë që të punohen punët betonuese. Kjo ka marrë si duket më shumë kohë se sa është menduar dhe pasi ka ardhur reagimi nga qytetarët atëherë ju ka ra ndërmend me fajësu Ibër – Lepencin”- përfundoi ai.

Shqetësime për gjendjen e lumit Ibër

Qytetarët e Mitrovicës kanë shprehur shqetësime për gjendjen e lumit Ibër.

Arif Kadriu, kryetar i Shoqatës së Peshkatarëve “Ibri” tregon pasojat që ka sjellë shterimi i Lumit Ibër.

Lumi Ibër në Mitrovicë, Foto: KALLXO.com

“Në fakt është një dukuri jashtëzakonisht negative sepse automatisht e gjithë bota në anën ujore është ndiku. Peshqit janë nguju në ato vendet e vogla ku ka pak ujë kurse pjesa tjetër është largu për lumin Sitnicë. Por, një problem tjetër ka qenë toka e cila zakonisht është nën ujë dhe i është ekspozu diellit. Kjo ka ndiku negativisht në ngordhjen e gjallesave, insekteve”-ka thënë ai.

Kadriu tregon arsyet e shterimit të Lumit Ibër, që sipas tij mund të lidhen me Liqenin e Ujmanit.

“Ne e dimë që Liqeni Artificial nuk e ka fuqinë me e ndal komplet rrjedhën e ujit, për shkak se rrjedha shkon vetëm në një vend. Sipas analizave që i kemi bërë, vetëm penda e liqenit të Ujmanit mundet me bo të tillë diçka, mundet me u ndalë aty dhe mos me pas rrjedhjë të bollshme apo hiç mos me shku uji”, ka thënë ai.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve “Ibri”, komuna nuk ka fuqi e as arsye për ndaljen e rrjedhës së ujit në Lumin Ibër.

“Komuna e Mitrovicës, respektivisht Drejtoria e Ambientit apo Urbanizmit cilatdo qofshin nuk ka fuqi me e ndal lumin. Nuk kanë asnjë arsye me ndal veç nëse është ndonjë informacion brenda komunës me Ibër-Lepencin atë nuk e di. Mirëpo tash për tash nuk kemi asnjë informacion zyrtar kush, çka, qysh, tek.”

Shterjen e lumit, ai e cilëson si katastrofë ekologjike.

“Ne mundemi me vazhdu me peshku nëpër lumin Sitnicë, mirëpo problemi është tek qytetarët e Mitrovicës. Është një pamje jashtëzakonisht e tmerrshme dhe është tmerr me jetu në një qytet me katër lumenj dhe mos me pasë ujë, rrjedhë, në një lum kryesor i cili është Ibri.  Kjo është një katastrofë ekologjike”- përfundoi ai.

Kurse, Muhamet Popova qytetar i Mitrovicës, thotë se mungesa e ujit dhe mbeturinat në lumin Ibër po e bëjnë atë të jetë në gjendjen që është sot.

Muhamet Popova, Foto: KALLXO.com

“Për qito vjet që i kam, 66 vjet, nuk kam përjetu kurrë kështu në këtë gjendje që është sot. Ka qenë gjithë uji i madh. Pra, po e shihni edhe vet mbeturinat, mungesa e ujit po na vështirëson.  Edhe peshqit kanë probleme pa ujë. Qyteti i ka katër lumenj mirëpo Ibri ka qenë gjithë më i miri”- ka thënë Popova.

“Këtu janë shumë kushtet e këqija për momentin por me kalimin e kohës kur po e lëshojnë branën, po rregullohet, por pastaj prapë si po e ndalin po kemi probleme.  Komuna e kanë ble atë makinën që i mbledh mbeturinat, aty te ujëvara. Mirëpo ajo nuk mund të punojë kur ka ujë pak. Kur lëshohet brana ajo punon dhe i mledh mbeturinat”, ka shtuar ai.

Ndërsa qytetari tjetër, Mehdi Sheremeti, ka një shqetësim tjetër i cili lidhet me ngordhjen e peshqve.

Mehdi Sheremeti, Foto: KALLXO.com

“Qata peshq çka kanë qenë, ata kanë ngordhë menjëherë. Si pasojë e kësaj ka pas erë të keqe”- ka thënë ai.

Gjithashtu ai tregon masat që sipas tij duhet t’i marrë shteti dhe komuna, gjithashtu ka një thirrje për qytetarët e Mitrovicës.

“Masat që duhet t’i marrë shteti dhe komuna është heqja e zallit, me ardhë me e rregullu, me e thellu pak se qishtu është tmerr. Në të kundërtën iu kisha bë thirrje qytetarëve që ta ruajnë dhe mos ta mbushin me mbeturina këtë vendi”- përfundoi Sheremeti.

Lumi Ibër në Mitrovicë, Foto: KALLXO.com