Qytetarët e Skenderajt ngrisin shqetësimet e tyre për ujë e kanalizim para Bekim Jasharit

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka mbajtur takimin e dytë publik me qytetarë, në të cilën ka prezantuar puna tri vjeçare e tij.

Kryetari Jashari, para të pranishmeve në sallën e Kulturës “Hasan Prishtina”, bëri të ditur gjitha projektet që janë realizuar brenda këtij viti, në çdo pjesë të komunës si dhe ato që janë në realizim e sipër dhe që priten të përfundojnë së shpejti.

Qytetarët e pranishëm ngritën shqetësimin e tyre që kryesisht kishin të bëjnë me kanalizimin dhe ujin e pijes.

Banorët e fshatrave Izbicë, Rezallë, Murgë, Likovc, Rakinicë, Burojë kërkuan të dinë nga kryetari se kur të përfundojnë projektet e nisura për ujë, kanalizim dhe rrugë.

Për të gjitha çështjet e parashtruara, Jashari premtoi se do të rregullohen në vitin qe vjen, përveç asaj të ujësjellësit që nuk siguroi që do të ketë ujë pa ndërprerje.  

Ky është fjalimi i plotë i Bekim Jasharit:

Të dashur qytetarë,

Ky vit ka qenë për të gjithë ne,  një vit sfidues, për shkak të pandemisë globale që po ballafaqohemi me të,  por mes shumë vështirësive që i ka sjellë pandemia Covid-19, komuna jonë ka arritur ta mbyll vitin me shumë punë të mira, që ndikuan direkt në lehtësimin e jetës së qytetarëve të komunës sonë.

Ujësjellës

11 fshatra të Skenderajt me vite të tera  janë ballafaquar me problemin e mungesës së ujit të pijshëm, por për herë të parë gjatë vitit 2020, ky problem është zgjidhur, ku  falë bashkëpunimit të komunës me qeverinë Zvicerane si dhe me Qeverinë e Kosovës, është përuruar ujësjellësi në 11 fshatra, ku i është dhënë fund një herë e mirë halleve të qytetareve rreth ujit të pijshëm në fshatrat, Rakinicë, Rezallë e re, Tushilë, Turiqec Kopiliq i poshtëm, Kopiliq i Epërm ,Qubrel, Kllodernicë, Vajnikë, Ozdrim si dhe një pjesë e fshatit Jashanicë,

Këtë vit falë përkrahjes së Qeverisë Zvicerane kemi filluar me instalimin e gypit kryesor të ujësjellësit për 10 fshatrat të komunës sonë si: Rezallë, Abri e Poshtme, Aqarevë, Likoc, Llaushë, Marinë, Makërmal, Murgë, Plluzhinë dhe Ticë.

Lagjia 2 e cila me vite të tera ka pasur probleme me ujin e pijshëm për shkak të cilësisë së dobët të tij, është larguar nga sistemi i vjetër i furnizimit dhe tani është vendosur në sistemin e ri i cili i përmbush të gjitha standardet  e përcaktuara.

Falë ndihmës së donatorit nga Gostivari, Sali Ajdini, në Parkun “Idriz Rreci”, është bërë inaugurimi i çezmës së parë publike, e cila do tu shërbej qytetareve të pajisen me ujë të pijshëm.

Me organizatën “Qatar Charity”, kemi gëzuar 39 familje në nevojë të komunës sonë, duke bërë hapjen e puseve për ujë të pijshëm.

Gjithashtu me organizatën “Qendresa Kosovare”, kemi bërë hapjen e një pusi në fshatin Plluzhinë përmes të cilit janë duke u furnizuar me ujë mbi 100 banorë të kësaj lagje.

 

Pas ardhjes sime në udhëheqje të komunës kam ri-aktualizuar projektin e Pendës së Kuqicës dhe jemi duke kërkuar donatorë e investitor për të realizuar këtë projekt strategjik për komunën tonë i cili do të siguroj ujë të pijshëm 24 orë për banoret e komunës sonë, Drenasit dhe një pjesë të Malishevës.

Bujqësi

Prioritet të veçantë i kam dhënë zhvillimit të bujqësisë, përkrahjes së bujqve duke pesë fishuar buxhetin për bujqësinë nga 48 mijë sa ishte i planifikuar për vitin 2018 në 217 mijë e 730 euro ka qenë këtë vit, bashkë me ndihmën e donatorëve.

 Vetëm brenda vitit 2020 bashkë me donatoret kemi përkrahur afër 500 fermerë në komunën tonë, me vlerë totale buxhetore prej afër 400 mijë euro.

Fermerët i kemi ndihmuar me grante të ndryshme si me bimë aromatike, dredhëza, mjedra dhe me imputet e tyre përcjellëse, krerë të lopëve, pula me kotec, bletë e  me mjete përcjellëse, mjete pune si traktor, motokultivator me freza, laktofriza po ashtu edhe sera me madhësi të ndryshme si dhe  shume grante të tjera.

Për të gjithë fermerët të cilët merren me kultivimin e produkteve bujqësore  shumë shpejt do të hapim edhe piken grumbulluese në të cilën fermerët do të kenë tregun e sigurt te shitjes.

Mirëqenie sociale

Këtë vit që nga fillim i pandemisë e deri me tani fokusi jonë ka qenë në përkrahjen e familjeve në nevojë që sa më lehtë të kalojnë këtë situatë dhe në këtë drejtim kemi përkrahur mbi 5 mijë familje  më pako ushqimore nga buxheti i komunës dhe falë përkrahjes së bamirësve të shumtë të cilët në vazhdimësi ju jemi falënderues për solidaritetin e treguar në këtë kohë.

Sikur vitin e kaluar edhe këtë vit në bashkëfinancim me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”,  pesë familjeve të komunës sonë i`a kemi dhënë lajmin e madh të ndërtimit të shtëpisë për ta.

Kemi ndihmuar 50 familje në nevojë duke i përkrahur ne materiale ndërtimore për përmirësimin e kushteve të jetesës, ku për këtë projekt, nga buxheti i komunës janë̈ ndarë 66 mijë euro për ndërtimin e çative të shtëpive apo edhe defekteve të tjera të paraqitura.

Shëndetësi

Kemi arritur të përmirësojmë sistemin e shëndetësisë brenda komunës, ku tani qytetaret tanë mund të marrin shërbime e tyre 24 orë.

Kemi instaluar po ashtu radhën e pritjes, në QKMF,  ku kemi evituar kështu pritjet e qytetareve për të marrë shërbime sidomos në këtë kohë kur mbajtja e distancës është me se e nevojshme.

Gjithashtu kemi bërë investime ne Qendrat e Mjekësisë Familjare në Turiqec, Llaushë, Prekaz dhe Qirez.

Po vazhdojmë të ofrojmë kujdesin maksimal për të moshuarit në Qendrën Rezidenciale në Skenderaj, ku kemi zgjeruar ambientin për ta, në mënyrë që të jetë sa më komod.

Kemi bërë po ashtu edhe renovimin e objektit të Qendrës për Punë Sociale.

Gjatë kësaj kohe kemi qenë shembull për komunat e tjera për menaxhimin efikas të situatës, ku kemi arritur fillimisht të jemi komuna e parë e cila ka vendosur tendën para QKMF-së për të parandaluar rrezikun  e mundshëm të infektimit si dhe me pas kemi ndarë një pjesë të veçantë për personat e prekur nga ky virus.

Kemi qenë model edhe për qeverisjen qendrore, ku qe nga shfaqja e rastit të parë Kosovë me COVID-19, ne kemi ndaluar transportin e autobusëve si dhe kemi vendosur polic ne pikat kufitare me komunat e tjera të cilat kanë pasur raste pozitive.

 Po ashtu kemi lancuar Linjën telefonike falas, në numrin 194, në Qendrën Operative Emergjente Lokale, e cila ka qenë në dispozicion të gjithë qytetarëve që kanë pasur probleme shëndetësore.

Shembull për komunat e tjera kemi qenë edhe për menaxhimin e parasë publike, ku sipas hutimeve të KDI-së kemi qenë komuna e parë e cila ka shpenzuar më se paku në pajisjet anti-covid, duke i siguruar ato me çmimet me të lira por edhe cilësore.

Për të parandaluar rrezikun e infektimit kemi vendosur edhe tunele dezinfektuese para Qendrës së Mjekësisë, Komunës si dhe para Qendrës për Punë Sociale.

Janë dezinfektuar dhe pastruar gjitha hyrjet e banesave publike e private, si dhe gjitha rrugët kryesore të qytetit.

Kemi bërë në vazhdimësi edhe dezinfektimin si dhe pajisjen me mjete mbrojtëse kundër virusit për çdo shkollë të komunës sonë.

Arsim

Në sektorin e Arsimit kemi realizuar shumë projekte me qëllim të përmirësimit të kushteve infrastrukturore duke ngritur kështu cilësinë e mësimdhënies dhe mësim nxënies.

Kemi përkrahur të rinjtë tanë, pra  studentet, me bursa, ku nga buxheti i komunës kemi dhuruar 170 bursa si dhe 27 të tjera nga donatorët.

Gjatë këtij viti kemi realizuar premtimin tim lidhur me mësimdhënësit dhe punëtoret e shkollave ku kemi ndarë shujta me vlerë 800 mijë euro.

Kemi bërë përurimin objektit modern të Gjimnazit Hamez Jashari.

Kemi përuruar edhe shkollën fillore “Dëshmorët e Qyqavicës“ – Qirez, një shkollë e kompletuar moderne, ku bashkangjitur ka sallën sportive dhe vlera e ndërtimit të kësaj shkolle ka qenë 789,584 Euro. 

Po ashtu afër përurimit janë edhe shkollat fillore “ Elena Gjika “ – Makërmal si dhe shkolla “Vëllezërit Frashëri” – Qubrel, ku investimet për këto janë mbi 900 mijë euro.

Kemi përuruar salla sportive në shkollat “Shaban Jashari“ – Skenderaj,  “Azem Bejta“ – Prekaz i Epërm, “Abedin Rexha“ – Turiçec, si dhe  “Anton Çetta“ – Skenderaj.

Janë bërë investime të pjesshme në shkollat: “Malush Ahmeti” – Rezallë, “Bashkim Sadiku”– Tushilë, “Ahmet Delija” – Skenderaj, dhe në shkollën “Fehmi Rama”– Likoc

Gjithashtu gjatë këtij viti kemi vazhduar që ti paguajmë obligimet që rrjedhin nga Kontrata kolektive, kemi paguar pagat jubilare për punëtorët e arsimit si dhe për pensionistet kemi bërë pagesat për pagat përcjellëse.

Në vitin 2020 përveç që kemi bërë renovimin e çerdhes “Nena Zahide”, kemi nënshkruar marrëveshje për ndërtimin edhe të dy çerdheve, njëra tek Shkolla Fillore “Shaban Jashari” me financim të Komisionit Evropian dhe tjetra tek Shkolla Teknik “Anton Çeta” me bashkëfinancim të Komunës dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, e cila është në ndërtim e sipër.

Përpjekja për krijimin e një infrastrukture moderne për komunën tonë, po vazhdon pa u ndalur. Vetëm brenda këtij viti janë asfaltuar 41 kilometra e 659 metra rrugë si dhe është rregulluar sistemi i kanalizimit në komunën tonë, me gjatësi mbi 85 kilometra e 637 metra.

Gjatë këtij viti ka përfunduar asfaltimi i shumë rrugëve si dhe segmenteve të tyre si në: Rezalla e Re – Rezallë e Vjetër, Aqarevë, Aqarevë- Plluzhinë, Izbicë, Kopiliq i Ulët, Klinë e Epërme, Polac, Prekaz, Turjan, Kuqicë, Ternavc, Runik, Mikushnicë, Baks, Qirez,  Kotorr, Qubrel, Syriganë, Pemishtë, Terrnovë, Mikushnicë,  e shumë fshatra të tjera.

Kemi filluar ndërtimin e rrugës 17 shkurti, rrugë kjo e cila qendrën e qytetit me magjistralen Skenderaj-Mitrovicë.

Kemi bërë lidhjen e Lagjes 6 me fshatin Kryshec, ku në këtë mënyrë kemi lehtësuar edhe më shumë qarkullimin e qytetarëve tonë.

Është bërë zgjerimi i rrjetit të kanalizimit si: Kanalizimit në qytet, kanalizimi në fshatrat: Kllodernicë- Vitak, Vitak- Qubrel, Prekaz- Mikushnicë, Qirez, Baks, Turiqec, Kopiliq i Epërm, Llaushë, Klinë- Kuqicë, Çitak- Padalishtë, Rakinicë, Kryshec dhe Likoc.

Për të pasur funksionim të mirë të rrjetit të kanalizimit do të ndërtojmë gropat septike të cilat do të mbrojnë ambientin dhe kulturat bujqësore të fermerëve tonë.

Sherbime Publike

Në fokus të veçantë, gjatë qeverisjes sime e kam vendosur edhe mjedisin, duke bërë kështu largimin e deponive ilegale në zona urbane e rurale e po ashtu i pajisur edhe ekonomitë familjare me shporta për hedhjen e mbeturinave , ku vitin e ardhshëm synojmë që 100% ta përmbushim planin e furnizimit me kontejnerë për ekonomitë familjare.

Po ashtu disa herë radhas është bërë edhe pastrimi i shtratit të Lumit Klina, Lumit Runik- Turiqec, Llaushë dhe lumenjve tjerë që kalojnë në territorin tonë.

Po mirëmbajmë zonat e gjelberta dhe po krijojmë zona të reja për qytetarët e zonës urbane të qytetit.

Kemi përuruar përfundimin e projektit të zgjerimit të sheshit “Adem Jashari” si dhe kemi bërë rehabilitimin e sheshit të vjetër, e po ashtu kemi gjelbëruar qytetin me drunjë, fidane dhe lule sezonale.

Së fundmi qytetit tonë të dashur i janë shtuar edhe 280 drunjë në hapësira të ndryshme.

Po ashtu kemi bërë vendosjen e pushimoreve në vende të ndryshme brenda qytetit tonë, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë hapësira ku të kalojnë kohën e tyre të lirë.

Të gjithë ata që shkelin ligjin duke bërë vepra penale, duke dëmtuar apo ndotur mjedisin në të cilin jetojmë, do të identifikohen përmes kamerave të sigurisë, ku gjatë këtij viti kemi përuruar sistemin e sigurisë përmes instalimit të kamerave në 40 lokacione brenda qytetit tonë.

 

Kemi mbajtur konsultime publike për draft rregullore e dokumente të rëndësishme, ku në këtë mënyrë i kemi dhënë qytetarit hapësirën e nevojshme që të jetë pjesë e vendimmarrjes komunale.

Në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së kemi mbajtur dëgjimin publik për Kornizën Afat Mesme Buxhetore, në çdo bashkësi lokale, ku jemi njoftuar nga afër me nevojat dhe kërkesat e qytetareve të zonave përkatëse, me ç`rast edhe jemi zotuar se sipas mundësive tona buxhetore do të realizojmë projektet e kërkuara nga ta.

Gjatë gjithë vitit kam mbajtur dy takime me publikun në qershor si dhe tani në dhjetor ku kam prezantuar projektet që kanë përfunduar dhe janë në përfundim e sipër.

Në këto takime po ashtu kam dëgjuar edhe vërejtjet  e sugjerimet e juaja për të cilat shumë shpejt do të ofrojmë edhe zgjidhje.

Po ashtu për të rritur transparencën tonë komunale, në ueb faqen e komunës kemi të aktivizuar vegzën përmes së cilës mund të raportoni shkeljet e ndryshme por edhe të parashtroni pyetje për drejtoritë përkatëse.

Jemi komuna e parë që pasi e kemi vendos në diskutim e me pas në Kuvendin Komunal, kemi bërë miratimin e Hartës Zonale, me ç`rast kemi  kompletuar legjislacionin në fushën e planifikimit hapësinor.

Kemi miratuar Buxhetin e Komunës për vitin 2021 prej 14 milion e 207 mijë euro, me të cilin do të përfundojmë shumë projekte kapitale që janë në realizim e sipër si dhe do të fillojmë realizimin e 58 projekteve të reja në shumë fusha përmes të cilave do të rrisim nivelin e mirëqenies së qytetarëve të komunës sonë.

Bashkë me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit, përmes së cilit kemi vazhduar ofrimin e shërbimeve juridike falas për qytetarët e komunës sonë.

Inspektoriati:

Që nga koha kur kam ardhur në krye të komunës, kemi bërë përpjekje të mëdha për efikasitetin e zbatimit të ligjit përmes fuqizimit të inspektorati, duke ndërmarrë aksione për rrënimin e ndërtimeve pa leje dhe aplikimin e gjobave mandatore për shkelësit e ligjit. 

Po ashtu gjatë kohës së pandemisë, gjoba kemi shqiptuar edhe për ato biznese të cilat kanë bërë fryrjen e  çmimeve, pikërisht në kohën kur sigurimi i disa produkteve ishte shumë e nevojshme.

Kemi bërë edhe mbylljen e lokaleve të cilat nuk kanë respektuar vendimet e qeverisë dhe masat e ndërmarra.

Po ashtu kemi inspektuar në vazhdimësi në markete dhe barnatore dhe kudo që kemi hasur në produkte me afat të skaduar i kemi konfiskuar dhe i kemi shqiptuar gjobë, ku në këtë mënyrë kemi ruajtur mbi të gjitha shëndetin e qytetarëve tonë.

 

Kulturë

Nuk e kemi anashkaluar as përkrahjen  e sportit në Komunën tonë, vetëm brenda periudhës së pandemisë kemi përkrahur klubet sportive në vlerë totale prej 40 mijë euro.  

Së shpejti me përkrahje të Ministrisë së Kulturës do të filloj edhe ndërtimi i një̈ stadiumi të ri për qytetin e Skenderajt, pasi që realizimi i këtij projekti është̈ i domosdoshëm

Gjatë këtij viti është përuruar edhe Poligoni Sportiv në qytetin e Skenderajt, në Leqinë, Ticë, Prekaz të Epërm si dhe se shpejti do të përfundoj edhe ndërtimi i Poligonit Sportiv në Lagjen 2.

Kemi pasuruar inventarin e bibliotekës së qytetit me të rijnë, në mënyrë që gjeneratat e reja të mos kenë mungesë të tyre.

Kemi përkrahur idetë e OJQ-ve si dhe individëve përmes thirrjes publike që kemi hapur, ku i kemi ndihmuar në realizimin e projekteve të tyre të parapara.

Këtë vit si shkak i situatës nuk kemi mbajtur tubime në nderime të figurave tona të lavdishme, por së bashku me zyrtaret komunal kemi vizituar shtëpi për shtëpi, familjet e dëshmoreve, në shenje mirënjohje për kontributin e tyre të pashembullt.

Duke dashur që të ruajmë këtë histori të lavdishme dhe këto vlera të Ushtrisë sonë Çlirimtare, së shpejti do të fillojmë ndërtimin e Akademisë Ushtarake në Aqarevë, për të cilën edhe Ministria e Kulturës na ka premtuar se do të na përkrah.

Kemi inauguruar lapidarin e  dëshmorit të parë të betejës së Koshares, Rifat Qelaj, në fshatin e lindjes në Leqinë.

Gjithashtu kemi bërë zbulimin e pllakës së dëshmorit Malush Ahmeti, në Rezallë si dhe të hëroi Ali Fazlia në Prekaz.

Me propozimin tim, në mbledhjen e Kuvendit Komunal, për nder të 28 nëntorit kemi nderuar me titullin qytetarë nderi, humanistin Halil Kastrati dhe kampionin botëror në  boks, Robin Haxhi Krasniqi.

Zhvillim Ekonomik

Në bashkëpunim me Organizatën “Help Kosova”, kemi mbështetur 25 biznese të reja dhe të vogla, me grante në pajisje në vlerë deri 2000 euro.

Kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me organizatën IHH për mbështetjen e 30 fëmijëve jetim, me bursa mujore ku përveç kësaj kemi dhuruar edhe çanta shkollore.

Kemi bërë trajnimin e 60 të rinjve të komunës sonë, lidhur me Dizajnin Grafik dhe Ueb Development, me qellim të krijimit të aftësive për tu bërë me lehtë pjesë e tregut të punës.

Kam nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit  me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, për renovimin e tri objekteve të rëndësishme të komunës sonë, objektit të vjetër të Gjimnazit “Hamëz Jashari”, Shtëpisë së Kulturës, “ Hasan Prishtina”, dhe Çerdhes “Nëna Zahide”.

Këtë vit kemi mbështetur hapjen e një fabrikës së përpunimit të mishit të rosës, fabrike kjo e  cila ka punësuar 40 qytetarë të komunës sonë, ku shumica prej tyre janë femra, e që në këtë mënyrë po fuqizohet pozita e gruas në shoqëri.

Këtë vit kemi nënshkruar edhe kontratën me “Elkos Group”, për ndërtimin e qendrës Tregtare ETC në Skenderaj, e cila ka punësuar rreth 70 punëtor me pagë mesatare rreth 300-400.

Po ashtu benefitet e kësaj kontrate janë se ky operator ekonomik një nder obligimet që ka të përfshira në kontratë është sponzorizimi i sportit në komunën tonë si dhe hapjen e një pike grumbulluese për bujqit e komunës sonë.

Administratë

Në fushën e Administratës, në Komunë kemi bërë përurimin e E-kioskës, ku fal këtij projekti nuk do të ketë me radhë të pritjes për tu pajisur me çertifikata të gjendjes civile, tani këto shërbime qytetarët mund ti marrin 24 orë në 7 ditë të javës.

Me qellim të zbatimit të Ligjit të Punës, mbrojtës së të drejtave të punëtoreve në sektorin privat, nga data 1 mars, kemi filluar me zbatimin e Rregullores Komunale, mbi orarin e punës në fushën e tregtisë, hotelerisë, zejtarisë dhe shërbimeve të tjera, ku ditën e diel e kemi caktuar si ditë pushimi për këto veprimtari.

 

Tashmë edhe zyrtarisht në mesin e komunave më transparente dhe më përformancë më të mirë komunale,  sipas Raportit të Ministrisë së Pushtetit Lokal komuna jonë është radhitur komuna e katërt në përformancë komunale nga 38 komuna të Republikës së Kosovës.

Ky është edhe një hap drejt të vetmit premtim që kam dhënë, atij për transparencë dhe qeverisje me duar të pastërta.

Angazhimi ynë për të bërë ndryshime të mëdha në qytetin tonë nuk do të ndalet me kaq, na presin shumë punë të mira të cila patjetër do të ndikojnë drejtpërdrejt në të mirën e përbashkët.