Sheshi ne Prishtine

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Qytetarët e Kosovës presin me shqetësim dhe shpresë Vitin e Ri 2023

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit tha të shtunën se, nuk mund të mbushë boshllëkun e krijuar nga largimi i policëve serbë në katër komunat në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ky mision tha se e mirëpret uljen e tensioneve në veri dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në zonë pas heqjes së bllokadave të paligjshme.

Në fillim të muajit nëntor punonjësit serbë në institucionet e Kosovës në veri braktisën vendet e punës mes tensioneve rreth përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

EULEX-i tha se mund ta plotësojë këtë boshllëk vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është thelbësor.

Situatë në veriun e Kosovës është ndër shqetësimet parësore të qytetarëve me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës të cilët vunë theksin te ruajtja e partneritetit me Shtetet e Bashkuara, liberalizimin e vizave dhe krijimin e kushteve që do të shmangnin sic thonë ikjen e të rinjve nga vendi.

“Politika e përditshme, kjo aktuale sidomos në Mitrovicë nuk është mirë, por me shpresë që në të ardhmen do të bëhet pak më mirë. Atje po dihet që nuk është siguria në nivel dhe neve po na preokupon si popull. Është e mira e këtij kombi që ne ta kemi durimin, mos të biem në provokim edhe të vazhdojmë më tutje. Amerikën ta kemi mike, mos ta harrojmë Amerikën kurrë dhe secili shqiptar duhet t’i falënderohet Amerikës për ndihmën që na kanë dhënë këto 20 vjet e fundit”, thotë Milazim Buzuku.

“Po ishte një vit me probleme dhe brenga ndoshta më e madhe ishte gjendja apo situata e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ndoshta problemi kryesor ishte ajo që na ka munduar qe 20 vjet e këndej domethënë rrumbullakimi i shtetësisë së Kosovës dhe kjo çështje është zvarritur dhe stërzgjatur po them”, thotë Ismet Gegaj.

“Sfida më e madhe është të rinjtë që po na dalin jashtë e që po preokupohemi tepër shumë me ta. Domethënë e ardhmja jonë veç po na del jashtë shtetit se nuk po shohin të ardhme këtu”, thotë Rabije Kosumi.

“Uroj që liberalizimi i vizave të jetë jo vetëm i shkruar në letër por të realizohet në realitet. Në Kosovë kisha dashur të ketë më shumë punë se nëpërmjet saj mund të realizohen të gjitha dëshirat apo qëllimet që i kemi për jetë”, thotë Vitor Tushaj.

“Me politikat e përditshme jemi të preokupuar çdoherë se ky është vendi ynë, vendi i origjinës, vendi i prejardhjes. Politika nuk po funksionon ashtu si duhet por shpresojmë në një të ardhme të shkurtë që do të funksionoj çdo gjë mirë”, thotë Afërdita Buzuku.

“Po mos të ishte Amerika, po mos të ishte qeveria amerikane rrezik shumë ka qenë për Kosovën sepse ne jemi ende të papjekur politikisht. Populli shqiptar gjithë sytë i ka nga Amerika, krejt mendojmë për ta. Amerikë kurrë mos na lësho se qytetarët e Republikës së Kosovës, po flas përzemërsisht, që vazhdimisht do të jenë në krahun e Amerikës”, thotë Selver Lenjani.

Janari pritet të shënojë një periudhë të re përpjekjesh diplomatike për një marrëveshje normalizimi mes palëve.

Qytetarët e anketuar nga Zëri i Amerikës janë te rezervuar për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje brenda vitit 2023, e cila thonë ata mund të ndodhë vetëm me një përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara./VOA