Qiraja e objektit të ZRRE-së, deputetët kërkojnë llogari nga kryetari i bordit

Në mbledhjen e Komisionit për ekonomi, kryetari i bordit të ZRRE-së, ka raportuar për çmimin e lartë të objektit të ri në të cilën është vendosur ky institucion. Deputetët kanë kërkuar llogari nga kryetari i bordit, për çmimin e qirasë së objektit të ZRRE-së.

Kërkesën për të raportuar për këtë, e ka bërë deputetja, Jeta Statovci, sipas të cilës ZRRE është në top 5-shen e institucioneve më qiranë më të lartë.

Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të ZRRE-së ka thënë që për arsye ligjore kanë qenë të detyruar të ndërrojnë lokacionin.

“Ne si bord jemi kompletu në gusht të këtij viti, dhe kemi marrë vendim për largim nga objekti, për dy arsye, vërejtjen nga auditori për shkak të kushteve ligjore dhe vjetërsisë. Objekti ka qenë pa leje, dhe në të kemi qëndruar prej vitit 2012, përmbi 8 zyre kanë qenë në shfrytëzim dhe kanë qenë pa leje ndërtimi. Prandaj ne në shtator kemi qenë të obliguar të lëvizim për arsye ligjore”, tha ai.

Sipas tij, çmimi i qirasë është çmim i tregut.

“Çmimi i tregut është shumë shtrenjtë, por ne nuk mund të diskutojmë për çmimet e tregut, unë konsideroj që është me çmimet e tregut, dhe është hapësira minimale me të cilën kemi pasur nevojë”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni ka thënë se pasi që ZRRE është fokusuar në pjesën më të shtrenjtë për objektet me qira, a mund të rishikohet ky vendim?

Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të ZRRE-së, tha që procesi për objektin e ri ka qenë administrav dhe është zgjedhur oferta më e lirë.

“Ne nuk e kemi zgjedhë me shku ne hapirën më të shtrenjtë, ne i kemi hap ofertat dhe kemi pranuar dy oferta të përgjegjshme. Në bazë të kërkesave minimale, unë si kryesues i bordit nuk kam mundur të ndërhy, është proces komplet administrativ, dhe ne kemi zgjedh ofertën më të mirë dhe më të lirë. Ku është arsyeja që nga viti 2004 ndiqemi në objekte pa leje”, tha ai.

Kryetari i komisionit, Ferat Shala ka kërkuar të dijë sa është afati për kontrat, dhe a ka bërë ZRRE kërkesë për objekt të ri.

Ymer Fejzullahu ka thënë se kontrata është 1 vjeçare, me mundësi vazhdimi për 1 vit tjetër.

“Ne kem pasur gatishmërinë edhe nga ana e KOSTT-it, mirëpo Ministria e Administrës Publike ka thënë se janë duke shkuar sipas procedurave të kuvendit dhe sipas prioritetevë”, tha ai.

Mehdi Godeni, zyrtar nga ZRRE, ka treguar detaje për këtë ofertë.

“Në datën 7 korrik 2016 kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike, kërkesa e dytë ka qenë në vitin 2019, dhe në fund e kemi bërë më datën 10 shtator 2021, dhe na kanë thanë që nuk kanë hapësirë të mjaftueshme”, tha ai.

Deputeti Pal Lekaj, ka thënë se nëse janë shkelë procedurat janë organet hetimore, duke theksuar se bordi i ZRRE-së nuk merret me çështje administrative.

“Mirë është që është thirrë ky takim dhe të diskutojmë, mirëpo nesë ka diçka është më mirë t`i drejtohemi organeve kompetnete”, tha ai.

Deputetja Mimoza Kusari- Lila ka kërkuar të dijë nëse në listën e ngushtë janë përdorur kritere shtesë dhe nëse është zgjedhur ofertuesi më i lirë.

Kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu tha që nuk ka pasur kritere shtesë dhe është zgjedhur oferta më e lirë.