Diskutohet shkarkimi i Bordit të ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti e ka shqyrtuar mocionin e dhjetë deputetëve të Grupit parlamentar të LDK-së, për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë – ZRRE, sipas Përfundimit të Kryesisë së Kuvendit më datë 13 qershor.

Valentina Bunjaku Rexhepi anëtare e komisionit nga LDK, tha se si LDK e kanë paralajmëruar me kohë se do të ketë krizë energjetike, por sipas saj ZRRE kishin deklaru se nuk do të vij kriza energjetike.

“Kjo ka qenë mospërgjegjësi e ZRRE. Ata nuk kanë bashkëpunu me neve si komision kanë qenë jo transparent. ZRRE ka shkel ligjin”, tha ajo duke u shprehur se nuk i ka mbrojtur konsumatorët, etj.

Bunjaku Rexhepi tha se edhe veriu është i përjashtuar nga pagesat e tarifave të energjisë.

Energjia është rrit 100 për qind ndërsa Bordi ka qenë jo transparent, arrogant dhe nuk ka bashkëpunu me ne si Komision. Unë kërkoj të votohet shkarkimi i bordit të ZRRE dhe besoj që me emërimin e një bordi të ri do të lehtësohet jeta e qytetarëve”, tha ajo.

Bunjaku Rexhepi ka premtuar që do ta përkrahin emërimin e Bordit të ri.

Mimoza Kusari Lila, kryetare e grupit parlamentar të LVV, tha se nuk e mbeshtesin mocionin e LDK-së për shkarkimin e bordit të ZRRE-së.

“Në kuadër të argumenteve që janë prezantu, janë argumente që në asnjë nen nuk përkojnë me ligjin për zyren e rregullatorit të energjisë”, tha ajo.

Kusari Lila ka listuar dispozitat e ligjit se pse mund të përfundoj mandati i Bordit.

Kusari Lila tha se anëtari i Bordit mund të shkarkohet nëse është i dënuar me burg për vepër penale, nuk është në gjendje shendetësore ti kryj detyrat e tij nuk merr pjesë në 5 e më shumë mbledhje, etj.

“Kjo kërkesë është e pa arsyshme dhe do të shkaktoj krizë në sektorin e energjisë. Grupi parlamentar nuk e mbështet mocionin e LDK. ZRRE është autoritet i pavarur që duhet të funksionoj”, tha ajo.

Pal Lekaj nga AAK tha se bordi duhet të shkarkohet, pasi sipas tij ata kanë mashtruar opinionin publik.

“Bordi duhet të shkarkohet sidomos kur kemi paralajmëruar me kohë se do të vijmë me një krizë energjetike dhe në këtë tavolinë kanë premtu se nuk do të ketë shtrejtim, nuk do të ketë krizë. E kanë mashtru opinionin publik edhe neve si komision”, tha Lekaj.

Lekaj tha se e përkrahin shkarkimin e bordit dhe ka ftuar edhe pozitën ta ndryshojë mendimin.

Ferat Shala, kryetar i Komisionit, tha se kjo kërkesë për shkarkimin e Bordit është legjitime.

“Bordi ka bo shkelje ligjore që në fazën e planifikimit, që në fazën e arsyshmërisë per ngritjen e tarifave të energjisë… Një institucion i pavarur del që është 100 për qind i politizuar”, tha Shala.

Shala tha se do të duhej vetë bordi të jep dorëheqje morale.

Komisioni me shumicë votash nuk e miratoi mocionin.

Ndërsa në shenjë humori pas këtij votimi deputeti i AAK Pal Lekaj ju drejtohet anëtarëve të komisionit “Zoti ju vraftë”.