Foto: Ilustrim

Qeveria vazhdon masat emergjente të furnizimit me energji

Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të vazhdojë masat emergjente të furnizimit me energji.

Siç thuhet në komunikatën e Qeverisë, përmes këtij vendimi, i është propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, zgjatja e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme.

“Zgjatja e këtyre masave bëhet për shkak të rritjes se kërkesës për energji dhe gjendjes jostabile të furnizimit me energji elektrike. Mungesa e energjisë, vjen si pasojë e vjetërsisë së kapaciteteve aktuale gjeneruese, investimet parciale në këtë sektor dhe rritja e vazhdueshme e konsumit. Kjo shtron nevojën emergjente të zgjatjes së masave për 30 ditë, për shkak të nevojave që mund të paraqiten nga pasojat e krizës energjetike ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Më 23 shkurt të këtij viti, Qeveria ka marrë vendim që të zgjatet edhe për 30 ditë gjendja emergjente e furnizimit të energjisë elektrike.

Ndërkaq, më 24 dhjetor 2021, Qeveria e Kosovës pati shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike. Të njëjtin vendim e kishtë marrë edhe në gusht të këtij viti.

Më 1 gusht, Qeveria e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë ka miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Masat e marra nga Qeveria e Kosovës kanë qenë në fuqi për 60 ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180  ditë.

Më 8 shkurt të këtij viti, Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.