Foto: REL/Reuters

Qeveria tregon kur pritet të shpërndahen 100 eurot për studentët

Ekzekutimi i shtesave prej 100 euro për grupin e parë të studentëve aplikues pritet të ndodhë brenda këtij muaji.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai ka thënë se është themeluar komisioni përgjegjës për verifikimin e të dhënave të aplikimeve.

“Tashmë kemi themeluar Komisioni Zbatues, përgjegjës për verifikimin e të dhënave të aplikimeve. Ky komision është në komunikim të rregullt me Universitetet për konfirmimin e listave. Varësisht nga konfirmimet, po synojmë që brenda muajit të ekzekutojmë shtesat për grupin e parë e studentëve aplikues”- ka thënë Kryeziu për KALLXO.com.

Aplikimi për studentë për mbështetje nga ‘Pako për Përballje me Inflacion’, është hapur me 20 tetor 2022 dhe ka qenë i hapur deri më 6 nëntor, në platformën eKosova.

Në mbledhjen e mbajtur me 30 shtator, Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon për përballje me inflacionin, ku edhe është miratuar ndarja e 100 eurove në muajin nëntor për studentët.

Edhe në fillim të këtij viti, Qeveria kishte ndarë nga 100 euro për studentët.

Rreth 46 mijë studentë kosovarë kishin përfituar nga kjo ndarje buxhetore.