Foto: ZKM

Qeveria themelon strukturat për Hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar vendimin për themelimin e strukturave për Hartimin e Strategjisë kënder korrupsionit.

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka thënë se kjo Strategji pritet të hartohet dhe miratohet në Qeveri deri në dhjetor të këtij viti.

“Sot ju ftoj të miratojmë strukturat për Hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit, të udhëhequr nga komisioni ministror me këtë përbërje, Hekuran Murati kryesues dhe anëtarë Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvnolli. Ministriat do të hartojnë strategjinë deri në dhjetor të këtij viti dhe do të miratohet në Qeveri deri në fund të këtij viti. Në Qeveri do e miratojmë deri në fund të këtij viti”- tha Kurti.

“Mandatin e kemi filluar duke qëndruar afër me qytetarin e duke luftuar korrupsionin e krimin e organizuar përmes politikave të qeverisjes me duar të pastra. Rezultatet tona i ka konfirmuar edhe Traparency International kur Republika e Kosovës ka shënuar progres për 20 vende në dy vitet e fundit”- shtoi ai.

Në janar të këtij viti, Transparency International ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 84-ta nga 180 vende.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Kosova ka marrë 39 pikë duke u renditur në vendin e 87-të nga 180 vende.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

Më së paku pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit Kosova kishte marrë në kohën kur ekzekutivi udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

Në vitin e parë të Qeverisë Thaçi 2, Kosova kishte marrë 34 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012.