Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria premton rritje ekonomike e hapje të vendeve të reja të punës

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në 4 vitet e ardhme në Qeveri, do të investojë në ekonomi, për të hapur vende të reja të punës.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës në seancën e jashtëzakonshme për programin qeverisës, Kurti tha se në ekonomi duhet të zgjerohet klasa e mesme, që të nxisë rritjen ekonomike.

“Për të dalë nga një sistem ekonomik i cili është i orientuar në import dhe i varur nga sektori publik, duhet të investojmë në edukim, trajnim, teknologji, energji dhe infrastrukturë, të cilat nxisin vende të reja të punës”, tha Kurti.

Sipas tij, për të gjitha këto janë të nevojshme dy gjëra. Reforma në prokurim publik dhe reforma në administratën publike.

“Rritja e prodhimit kërkon energji të qëndrueshme dhe të pandërprerë, që e ndjek hovin e zhvillimit ekonomik. Pjesë të termocentralit Kosova A do të de-komisionohen, kurse investimet në Kosova B do të bëhen që të mos rrezikohet furnizimi me energji elektrike, gjatë tranzicionit”.

Kurti tha se ndotja që prodhohet nga përdorimi i linjitit, mund të reduktohet me teknologji të re, që sipas tij, mundëson përmbushjen në kërkesat e energjisë, derisa gradualisht diversifikohen burimet e energjisë dhe rritja e efiçiencës.

“Pasuria jonë do të mbrohet përmes Fondit Sovran, që do t’i marr në pronësi asetet strategjike të Kosovës, për të mundësuar investime nga jashtë, sidomos për investime në Trepçë, KEK-ut, Telekomit dhe Postës”, deklaroi Kurti.