Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Qeveria në hije' e PDK-së, Naim Ismajli emërohet koordinator për bujqësi

Naim Ismajli është emëruar koordinator i Departamentit për bujqësi dhe zhvillim rural në “Qeverinë në hije” të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi ka thënë se e ardhmja e Kosovës, nuk mund të paramendohet pa agjendë të gjelbër, e cila kërkon politika dhe qasje të re në të gjitha fushat, duke filluar nga bujqësia e zhvillimi rural.

“Andaj, sot kam nderin të prezantoj koordinatorin e Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, z. Naim Ismajli, i cili së bashku me një ekip të gjerë profesional, do të na ndihmojë në arritjen e këtij objektivi prioritar për të ardhmen e vendit tonë”, citohet të ketë thënë Krasniqi në një njoftim për media të PDK-së.

Në një biografi të shkurtër të prezantuar nga PDK është thënë se Naim Ismajli është inxhinier i diplomuar i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, dhe ka përfunduar studimet master dhe të doktoratës për Menaxhment dhe Informatikë.

Përveç si kryetar i Komunës së Shtimes, ai ka shërbyer si Drejtor i Kooperativës Bujqësore, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Ambient dhe kryeshef ekzekutiv në Kuvendin Komunal në Shtime.

Sipas njoftimit Naim Ismajli, ka falënderuar partinë për besimin e dhënë duke theksua se zhvillimi ekonomik i Kosovës, medoemos duhet të bazohet në një bujqësi të zhvilluar dhe në një sektor rural aktiv.

“Së bashku me ekspertët e Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në KQM, do të hartojmë strategjinë për përdorim më të mirë të burimeve në bujqësi që do të ndikojë në arritjen e një niveli më të lartë të konkurrueshmërisë së bujqësisë. Sot, bujqësia e Kosovës dominohet me ferma të vogla e të pa modernizuara dhe me një konkurrencë të padrejtë nga vendet e rajonit dhe të BE-së.”, citohet të ketë thënë Ismajli.

Naim Ismajli është koordinatori i katërt i prezantuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, disa ditë pas prezantimit të vizionit të PDK-së për Kabinetin për Qeverisje të Mirë.

Partia Demokratike e Kosovës është partia më e madhe opozitare në vend. Si parti opozitare ajo praktikon krijimin e kabinetit për qeverisje të mirë.

Në këtë kabineti kryesisht janë figura të kësaj partie të cilët në rast të fitores së partisë emërohen ministra të qeverisë.

Përmes Kabinetit për Qeverisje të Mirë, PDK transmeton vizionin qeverisës të së ardhmes së tyre si parti nëse fitojnë zgjedhjet.

Përveç kësaj, ky kabineti monitoron dhe mbikëqyrë punën e qeverisjes aktuale e cila drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Kreu i PDK-së sot prezanton kabinetin e ‘Qeverisë në hije’