Foto: ZKM

Qeveria ndan shtesa për personelin arsimor të angazhuar për mësimin online

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të shpërblehen mësimdhënësit e angazhuar në realizimin e mësimit në distancë.

Sipas Qeverisë, pako përmban paga shtesë për personelin arsimor që janë angazhuar për realizimin e e-Mësimit.

Qeveria njoftoi se shuma e shtesës mbi pagë është nga 150 deri në 300 euro në muaj, për muajt mars, prill dhe maj 2020 dhe do të realizohet në bazë të kritereve dhe kategorizimit të nivelit të angazhimit që do t’i përcaktojë Ministria e Arsimit.​

Personeli arsimor që do të përfitojë:

– Mësimdhënësit të cilët do të përfshihen drejtpërdrejt në përgatitjen dhe prodhimin e video-materialeve mësimore për klasat 1-9, të ju sigurohen shtesa mbi pagën;

– Personeli i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Qamil Batalli” në Prishtinë, Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Emin Duraku” në Prizren dhe personeli i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që është i përfshirë drejtpërdrejt në realizimin e mësimit në distancë, të ju sigurohet shtesë mbi pagë.

–  Shtesë mbi pagë edhe për personelin civil të Drejtorive Komunale të Arsimit në Komunën e Prishtinës dhe në atë të Prizrenit.

Më 11 mars , Qeveria e Kosovës mori vendim që t’i mbyllë shkollat deri me datën 27 mars për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Pas kësaj, 12 ditë pasi u mbyllën shkollat, më 23 mars filloi mësimi online apo mësimi nga distanca.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca.

Mësimi po transmetohet në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK1 dhe RTK4 si dhe në uebfaqen emesimi.rks-gov.net.