Ilustrim - Panele solare

Qeveria miraton projektligjin për kredinë për projektin e Ngrohtores Solare të Prishtinës

Qeveria e Kosovë ka miratuar sot Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Projektin e Ngrohtores Solare të Prishtinës, në mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kryeministri Albin Kurti tha se vlera e huazimit të kësaj marrëveshje është 23.2 milionë euro.

“Kjo marrëveshje do të shërbejë për të siguruar kapacitete shtesë të energjisë termike dhe për zgjerimin e rrjetit të ngrohtores së qytetit të Prishtinës. Vlera e huazimit është 23.2 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” – tha ai.

Ndërsa, prezantimin para kabinetit qeveritar e ka bërë ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Kosova ka potencial të madh për prodhimin e energjisë nga panelet diellore, në këtë rast përdorimi i energjisë diellore për furnizimin me energji termike ndikon pozitivisht edhe në ekonomitë familjare” – tha Murati.

Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do përdorë panelet solare për ngrohje të shtëpive.

Kosova vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që përdorë solaret për ngrohje të shtëpive, Termokos jep detaje

Qeveria sot po ashtu ka miratuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë dhe Projektit ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut Sh. A.) dhe KfW, Frankfurt Am Main(kfW”) për Projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII-Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se kjo marrëveshje parasheh huazim prej 25.5 milionë euro.

“Kjo marrëveshje parasheh huazimin prej 25.5 milionë euro nga KFW që do të nënhuazohet tek KOSTT për realizimin e projektit që ka për qëllim përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë”- tha Kurti.

Ndërsa, ministri i Financave Hekuran Murati tha ky është projekti i parë në Kosovë.

“Do të përfshihen masat e rehabilitimit, zgjerimit dhe modernizimit të rrjetit të transmisionit dhe shërbime tjera për ekzekutimin e projektit. Ky është projekti i parë nga KFË në Kosovë”- tha Murati.