Ilustrim - Panele solare

Kosova vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që përdorë solaret për ngrohje të shtëpive, Termokos jep detaje

Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do përdorë panelet solare për ngrohje të shtëpive.

E gjitha kjo u bë e mundur pas marrvëshjes së Qeverisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Gjermane për Zhvillim për parkun ‘Solar4 Kosovo’.

Marrëveshje e veçantë për realizimin e këtij projekti është nënshkruar edhe mes Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përfaqësuesi i Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), Pablo Obrador Alvarez dhe Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”,  Fisnik Osmani.

Sipas njoftimit të BERZH projekti kap vlerë më shumë se 80 milionë euro ku përfshihen dy grante nga Banka Gjermane për Zhvillim,  KFW dhe Bashkimi Evropian.

 Grantet e Qeverisë Gjermane dhe BE-së nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) kapin vlerë të 31.6 milion eurove dhe 21.5 milion eurove, si dhe një kredi e butë nga BERZH-i në vlerë të 23.2 milion eurove.

Projekti për ngrohje solare, i dyti më i madhi në Evropë është nisur në vitin 2017 nga ana e Komunës së Prishtinës gjatë ish qeverisjes së Shpend Ahmetit,  ku janë bërë përgatitjet për studim fizibiliteti dhe është negociuar kredia si dhe granti i qeverisë gjermane.

“Kosova do bëhet ekonomia e parë në Ballkanin Perëndimor që përdor panelet solare për ngrohje të shtëpive. Projekti  është i vlefshëm më shuëm se 80 milionë euro dhe përfshinë dy grante nga KFW dhe Bashkimi Evropian”-thuhet në njoftimin e BERZH.

Përmes këtij projekti do mundësohet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes në pjesë të lagjeve të Prishtinës ‘Arbëria’ dhe ‘Tophane’.

Zëdhënësja e Termokos, Afërdita Uka për Kallxo.com ka bërë të ditur se për këtë projekt është ndarë parcelë 25 hektarë në fshatin Shkabaj, ku përmes energjisë nga panelet fitojnë rreth 12 mijë konsumatorë të rinj të kryeqytetit.

“Për nga kapaciteti, ky projekt është nga më të mëdhenjtë në Evropë, për faktin se në parcelën prej 25 ha, që Qeveria e Kosovës ka ndarë në fshatin Shkabaj do të vendosen panelet solare me një sipërfaqe prej 69 mijë metrash katrorë.  Nga ky projekt kapital NP “Termokos” do të përfitojë 65 Gwh/a kapacitet shtesë termik, gjë që do të mundësojë furnizimin me ngrohje për rreth 12 mijë konsumatorë të rinjë”- deklaroi Uka.

Uka ndau detaje edhe për mënyrën si do bëhet lidhja e tubacionit nga impianti në Shkabaj deri në kryeqytet.

“Impianti solar do të ndërlidhet nëpërmes tubacionit nëntokësor me rrjetin e sistemit të kogjenerimit, i cili kalon në afërsi të këtij impianti, pastaj nëpërmes një tubacioni të veçantë do të arrijë në Prishtinë, ku do të ndërlidhet me rrjetin e ngrohjes në afërsi të Pallatit të Rinisë. Prej këtu, energjia ngrohëse, që do të arrijë në këtë pikë të rrjetit do t’i japë fuqi shtesë kapacitetit aktual termik dhe do të shpërndahet nëpërmes tubacionit nëntokësorë deri tek konsumatorët e rinjë të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane” “- shtoi tutje Uka.

Sipas zëdhënsëses së Termokos projektimi i detajuar dhe tenderimi do nis nga viti i ardhshëm, derisa funksionalizmi i tij pritet të bëhet në vitin 2026.

“Projekti “Solar 4 Kosovo” është në fazën finale përgatitore të realizimit, nga viti i ardhshëm do të fillojë faza tjetër e projektimit të detajuar dhe zhvillimit të procedurave tenderuese, që do t’i paraprijnë fazës së ndërtimit, ndërsa funksionalizimi i këtij projekti planifikohet për vitin 2026”- potencoi Uka.

Derisa, për muajt e dimrit ku nuk ka shumë ditë me diell, Uka shtoi se do ndërtohet rezervuari për ruajtje të energjisë.

“Në afërsi të impiantit solar planifikohet ndërtimi i një rezervuari të energjisë ngrohëse me një kapacitet prej 400 mijë metra kub, ku do të ruhet energjia, që do të përfitohet gjatë ditëve me diell për t’u përdorur më pas sipas nevojave, që do të paraqiten”- bëri të ditur Afërdita Uka.

Ky projekt do të ketë ndikim edhe në uljen e ndotjes së ajrit për kryeqytetasit, pasi që në zonat e operimit do të evitojë nevojën e përdorimit të alternativave tjera ngrohëse, që ndikojnë në ndotjen e ajrit, siç janë thëngjilli dhe drunjtë.

Kosova ka mbi njëzet vjet që përballet me mungesë të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike dhe nivel të lartë të ndotjes nga termocentralet.

Një prej arsyeve besohet të jetë vjetërsia e këtyre termocentraleve, që djegin thëngjill.

Aktualisht, rreth 94 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 për qind nga burimet e ripërtërishme, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.

Kapacitetet e prodhimit nga burime të ripërtërishme janë 244 megavat.

Me Draft-Strategjinë e Energjisë 2023-2031  parashihet që këto kapacitete të arrijnë në 490 megavat në vitin 2024 dhe deri në 1,300 megavat në vitin 2031.