Qeveria konfirmon se një përfaqësues i Zyrës Ndërlidhëse së Beogradit në Prishtinë ka vizituar të burgosurit serbë në Kosovë

Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, Dejan Paviqeviq ka vizituar sot të burgosurit serbë, të cilët u arrestuan për shkak të sulmeve ndaj gazetarëve gjatë tensioneve të fundit në veri.

Këtë e ka konfirmuar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo tha se të burgosurve ju takon një e drejtë e tillë.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe kryeministri Albin Kurti i cili ka mohuar që ka pasur dakordim që përfaqësuesit e zyrave ndërlidhëse në Kosovë e Serbi t’i vizitojë të burgosurit respektivë.

Ai deklaroi se Kosova do të lejonte të vizitoheshin të burgosurit serbë, edhe nëse Serbia nuk do t’ia kishte lejuar vizitën për tre policët e kidnapuar.

“Nuk ekziston kurrfarë barazie. Të burgosurit janë të privuar nga liria, por jo nga të drejtat. Edhe nëse nuk do të ishte e mundshme që të vizitoheshin tre policët tanë, ne nuk do të ishim hakmarrë. Dënimin e të burgosurve t’i diferencojmë sipas pazareve politike, siç mund të mendojë një shtet autokratik. Ne jemi shtet demokratik. Nuk i privojmë të burgosurit nga të drejtat” – tha Kurti.

Shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari sot është lejuar të vizitoj tre policët e Kosovës që aktualisht gjenden në paraburgim në Serbi.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se vizita është realizuar në qendrën e paraburgimit në Kralevë, ku tre policët janë duke u mbajtur që nga 16 qershori dhe të cilët, sipas ministres, prokuroria e lartë e Kralevës po i mbanë nën akuzën tashmë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ajo tha se policët kanë treguar se gjatë 48 orëve nuk janë maltretuar fizikisht, mirëpo ata kanë thënë se gjatë kësaj kohe atyre nuk iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm, vetëm nga një copë bukë dhe jo më shumë.

Më 14 qershor Policia ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.