Qëndron Kastrati: LVV-së në Kamenicë i ka ndihmuar Begzad Sinani i PDK-së

Kandidati për kryetar të Kamenicës  Qëndron Kastrati nga Partia Socialdemokrate ka thënë se është i bindur që do të fitojë nga balotazhi që do të mbahet në këtë komunë më 14 nëntor.

Ai në Debat Pernime është shprehur se konsideron që rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve derisa ka shtuar se LVV-së i ka ndihmuar ish-kryetari i komunës nga PDK, Begzad Sinani.

“Unë konsideroj që rezultati ka qenë i mirë duke pasur parasysh që i vetëm me kolegët dhe ekipin kemi kandiduar përkundër z. Rahimaj nga LVV, bashkë me AKR dhe ish-kryetarin e komunës Begzad Sinani. Duke pasur parasysh se si janë të pritur votuesit nga subjektet e tjera politike, unë jam i bindur që ne do të fitojmë më 14 nëntor”, tha ai. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kamenicës diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit. 

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Kamenicë: Qëndron Kastrati nga Partia Socialdemokrate dhe Kadri Rahimaj nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i PSD-së për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati në rundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 5 mijë e 408 vota, apo 32,52 për qind. Kurse kandidati i LVV-së Kadri Rahimaj ka siguruar 5 mijë e 156 vota, apo 31,01 për qind. 

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.