Punimet në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Mitrovicë drejt përfundimit

Mungesa e ‘ishullit’, hapësirës që vendoset zakonisht në mes, kur rrugët janë me nga 2 korsi në secilën anë, bën që rruga “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë të jetë në këtë gjendje.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Granit Tmava, ka thënë për KALLXO.com se punimet në këtë rrugë do të përfundojnë në tetor të këtij viti.

“Punimet në rrugën “Mbretëresha Teutë” kanë filluar, kontrata ka hyrë në fuqi me datën 20.10.2022 dhe përfundon në muajin e dhjetë të vitit 2023, është kontratë një vjeçare, pritet të përfundojë brenda afatit kohor i cili është afër tanimë” – ka thënë Tmava.

Tutje ai shtoi se për këtë projekt janë ndarë 400 e 80 mijë euro.

“Në bazë të nevojës që e kemi pa që ajo pjesë e infrastrukturës ka pas nevojë të ndërhyhet dhe kërkesës së qytetarëve për krijimin e hapësirave parkuese, ne e kemi parë të arsyeshme që të intervenohet në atë zonë” –  tha Tmava për KALLXO.com.

Drejtori tha se ankesa nga qytetarët nuk ka marrë sepse sipas tij janë munduar që gjatë kohës sa kanë punuar të sigurojnë lëvizjen e lirshme të këmbësorëve në trotuar dhe të veturave.

Ai deklaroi se në këtë zonë do të ketë: sistem kabllor nëntokësorë, sistem të ndriçimit publik dhe është shteg të biçikletave.

“Do të jetë katër korsi për vetura, do të ketë shteg të biçikletave, do të ketë hapësira parkuese dhe trotuar dhe njëkohësisht do të ketë ndriçimin në mes të rrugës. Dhe përveç tyre do të ketë edhe sistemin kabllor nëntokësor gjë që është ndoshta puna më e vlefshme e kësaj kontrate të këtij projekti që e kemi në komunën e Mitrovicës” – tha ai.

Ndërsa sa i përket ishullit në mes, sipas Drejtorit të Drejtorisë për Shërbime Publike dhe  Infrastrukturë, ishulli do të kthehet dhe do të ketë ndriçim publik si dhe ndarje të korsive.

Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës për KALLXO.com ka treguar skicën se si do të duket kjo rrugë pas rregullimit.