Punëtorët teknikë të QKMF në Prishtinë protestojnë për pagat e ulëta

Punëtorët teknik të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë kanë protestuar sot në shenjë pakënaqësie në lidhje me trajtimin dhe pagat e ulëta të tyre.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka treguar se Qendra e Kryesore e Mjekësisë Familjare do që të nënshkruajë kontratë me vlerë 303 euro pagë neto.

“Ne si sindikatë por sigurisht edhe punëtorët kanë kërkuar që të mos pranohet kjo pagë. Ne sigurisht nuk do bëjmë greva dhe protesta tjera pasi kemi ardhur deri te një vendim përfundimtar, në mënyrë unanime pasi të nënshkruhen kontratat do të lëshojmë të gjitha vendet e punës dhe QKMF-ja do të mbetet pa përkujdesje”, shtoi Azemi.

Ai tha se kjo po ndodh si shkak i mos-dakordimit për pagat e punëtorëve.

“Jemi takuar dhe nuk jemi dakorduar që paga e këtyre punëtorëve të mos jetë 275 euro, jo se dojmë të kryejmë komoditet por megjithatë nuk mund të ja dalim andaj ne i preferojmë kryetarit të Prishtinës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të sigurojë punëtorë të Bangladeshit sepse ne ma nuk punojmë” – theksoi Azemi.

Për pakënaqësinë ka folur edhe Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Sherif Makolli, i cili deklaroi se përkrah fuqimisht këtë protestë.

Emine Sahiti punëtore në QMF, tha se kërkesa kryesore e tyre është paga.

“Kërkesën kryesore e kemi për pagën sepse aty jemi diskriminuar më së shumti, por nuk do të thotë që jemi të kënaqur edhe me të tjerat, me pagesën e kujdestarive, kushtet e punës dhe ditët e festave. Jemi të diskriminuar dhe të mllefosur shumë, na ka mbetur vetëm të lëshojmë punën asgjë tjetër, kemi pritur mjaft por për ne s`ka menduar askush”- shtoi Sahiti

Punëtorja Lulije Shabani tha se janë të revoltuar në lidhje me kushtet e këqija.

“Ne kemi dalë t`i shprehim pakënaqësitë tona në lidhje me pagat e ulëta, edhe vendimi që është marrë është përsëri shumë e ulët, nuk paguhet asnjë benificion, nuk paguhen festat apo kujdestaria, kushtet janë të këqija për me pastru, dhe nuk është në rregull asgjë”- tha Shabani.