PSD: Nuk do të ketë hetim të pavarur për vdekjen e të riut nga Gjilani derisa në detyrë janë Sveçla dhe Vitia

Partia Socialdemokrate (PSD) përmes një aksioni simbolik të organizuar sot para ndërtesës së qeverisë kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe atij të shëndetësisë Arben Vitia.

PSD duke vendosur shirita në hyrjen e qeverisë e kanë shpallur ndërtesën si karantinë ndërsa kanë vënë para përgjegjësisë Qeverinë për vdekjes së 16 vjeçarit nga Gjilani.

“Jemi këtu për të kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit e kësaj karantine mbi rastin tragjik që ndodhi dy ditë më herët. Një hetim i pavarur dhe kredibil nuk është i njëjtë për sa kohë janë në detyrë ministri Sveçla dhe Vitia. Përmes veprimeve të tyre e kanë bërë të qartë se midis ligjit dhe shefit këta gjithmonë zgjedhin shefin. Ministri Vitia me paramendim e ka shkelur kushtetutën kur ka vendosur për masat pas vendimit të parë të gjykatës kushtetuese. Ministri Sveçla po ashtu ka bërë përndjekje politike përmes karantinës. Ai përkundër udhëzimeve të policisë ka marrë vendim për heqjen e rrethojave të Qeverisë”, është deklaruar Zgiim Hyseni, nënkryetar i PSD-së.

Hyseni tha se për vdekjen e të riut nuk do të ketë hetim të pavarur derisa në detyrë janë ministrat Sveçla dhe Vitia.

“Çfarë po flasim sot është përgjegjësi politike. Rasti tragjik ka ndodhur për sa kohë i ndjeri ka qenë nën përgjegjësinë e institucioneve shtetërore. Për t’i hapur rrugë hetimit është e rëndësishme që ministri i brendshëm Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë Vitia të mos jenë duke i kryer këto funksione. Këta e kanë bërë të ditur se nuk e kanë problem shkeljen e ligjeve”, ka thënë ai.