PSD me fushatën 'Bazë': Vendi ka nevojë për ndërhyrje radikale

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka njoftuar se sot kanë nisur fushatën së cilës ia kanë vendosur emrin “Bazë”.

Ky emërim sipas Molliqajt, ka ardhur sepse vendi ka nevojë për ndërhyrje radikale në të gjitha segmentet e shoqërisë për të luftuar pabarazinë, varfërinë në të gjitha format e saja si dhe për t’i ofruar qasje të mirëfilltë secilit qytetar të Kosovës në shëndetësi dhe arsim cilësor e gjithëpërfshirës.

“Kosova, për shumicën e qytetarëve të saj që kanë pak, është bërë vend jashtëzakonisht i vështirë për të jetuar” – ka thënë Molliqaj.

Tutje ai tha se shëndetësia publike është gërryer, sipas tij, prej së brendshmi nga privatizimi i saj.

Ai tha se edhe arsimi, prej atij të hershëm e deri tek ai universitar, është neglizhuar plotësisht nga çdo qeveri që se kishte atë në listën e tyre të prioriteteve.

Sipas Molliqajt, në të njëjtën kohë, punëtorët e Kosovës janë të dorëzuar tërësisht në duart e pamëshirshme të tregut të punës.

“Ata s’kanë siguri në vendin e punës e as mbështetje nga qeveria. E familjet me asistencë sociale detyrimisht marrin pjesë në ciklin vicioz të varfërisë deri në pafundësi në mënyrë që të ndihmohen nga institucionet e shtetit” – tha Molliqaj.

Sipas këtij të fundit, ky lloj organizimi duhet të përmbyset. Ai tha se “Baza” është mënyra e rruga përpara.

Molliqaj tha se besojnë që për çdo qytetarë i Republikës së Kosovës duhet të ekzistojë një kufi, një bazament, nën të cilin nuk duhet të bie, pavarësisht krizave ekonomike e vështirësive.

Ai tha se çdo qytetar i Kosovës duhet të gëzojë të drejtën që të jetojë dinjitetshëm larg kufirit të varfërisë me një pagë bazike universale, të gëzojë të drejtën që në rast të humbjes së vendit të punës.

Përpos këtyre, Molliqaj u shpreh se qytetarët duhet të gëzojnë edhe të drejtën e shtatzënisë e lindjes së fëmiut, në rast të sëmundjeve të papritura e pleqërisë, të jetë nën përkujdesjen e shtetit e shoqërisë, të gëzojë të drejtën, qysh në vegjëli, që të ketë qasje në arsim të hershëm e shëndetësi cilësore publike e universale.

“Qytetarëve të Kosovës, të cilët mbushin mbi 60% të buxhetit të Kosovës, duhet të ju shpërndahet në mënyrë më të barabartë dhe të drejtë vlera të cilën e krijojnë me punën e tyre” – tha ai.

Sipas të parit të PSD-së, kjo gjë do të bëhet me tatime të reja, si ajo në dividentë dhe trashëgimi, si dhe reformim të tatimeve ekzistuese, si ajo në të ardhurat korporale e të ardhurat personale.

Molliqaj tha se qytetari i Republikës së Kosovës nuk duhet të trajtohet më si subjekt juridik që regjistrohet në librin e amzës, e as si numër statistikor në tabela Excel-i.

Por, sipas Molliqaj qytetari i Republikës së Kosovës duhet të trajtohet dinjitetshëm në të gjitha rrethanat shtresëzuese të tij; qoftë ajo duke ia lehtësuar stresin financiar e psikologjik apo trajtimin më të barabartë në vendin e punës.

Molliqaj në fund tha se qytetarit të Kosovës i nevojitet një “Bazë”.