Prokuroria Speciale po e trajton rastin e prerjes së pemëve në Gjakovë

Prokuroria Speciale e Kosovës është duke trajtuar rastin e prerjes së pemëve nga Komuna e Gjakovës në rrugën ‘Nënë Tereza’, në qendër të këtij qyteti.

Në lidhje me këtë çështje, partitë opozitare në Gjakovë, Vetëvendosje dhe Alternativa, në shtator të vitit 2020 kishin dorëzuar kallëzim penal.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë vetëm se rasti po trajtohet.

“Rastet në hetim nuk i komentojmë. Nuk kemi as të drejtë. Hetimet fillojnë kur ka një aktvendim për fillimin e hetimeve, e mund të ketë veprime të caktuara hetimore. Zyrtarisht unë nuk mundem me iu thonë kurgjo për hetim. Por që është duke u trajtu, është, por nuk mundem me thonë që ka një aktvendim ose nuk ka”, ka thënë Isufaj përmes telefonit.

Në kallëzimin penal të partive opozitare në Gjakovë, thuhet se me prerjen e pemëve është vepruar në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, sipas tyre, duke e mbajtur të fshehtë projektin për zgjerimin e rrugës dhe nuk ka zhvilluar procedurat ligjore për konkursin e projektimit.

“Për më shumë kryetari i Komunës, përkundër peticionit të biznesve të rrugës “Nënë Tereza” në muajin maj 2020, protestave të qytetarëve dhe kërkesës së vazhdueshme për publikim të projektit, në mënyrë të jashtë ligjshme ka filluar punimet për projektin e zgjerimit të rrugës “Nënë Tereza”, me 15.09.2020, ku prap kishte reagim qytetar”, thuhet në kallëzimin penal të partive opozitare.

Më 18 shtator 2020 Komuna e Gjakovës kishte filluar prerjen e pemvë në qendrën e qytetit, për t’i hapur rrugë një projekti për zgjerimin e rrugës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Gjakovës ishte arsyetuar duke thënë se ky projekt është i dobishëm për qytetarët e komunës dhe se projekti ka kaluar të gjitha procedurat ligjore dhe është transparent.

Ndërsa kishin thënë se do të jetë një projekt modern dhe model për të gjithë Kosovën.

“Drunjtë ka qenë e nevojshme që të hiqen, banorët që jetojnë aty janë të vetëdijshëm për këtë. Ka ndodhur shumë herë që drunjtë janë rrëzuar për shkak të kalbjes, vjetërsisë. Në këtë rrugë, vit pas viti janë zëvendësuar drunjtë sipas nevojës, dmth nuk kanë qenë të njëjtë. Tani do të jenë të gjithë të njëjtë”, thuhej në përgjigjen e komunës së Gjakovës.

Komuna e Gjakovës arsyetohet për drunjtë e prerë në qendër të qytetit