Komuna e Gjakovës arsyetohet për drunjtë e prerë në qendër të qytetit

Sot Komuna e Gjakovës ka filluar prerjen e drunjve në rrugën ‘Nënë Tereza’ në qendër të qytetit, për të realizuar projektin për zgjerimin e kësaj rruge.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Gjakovës është arsyetuar duke thënë se ky projekt është i dobishëm për qytetarët e komunës dhe se projekti ka kaluar të gjitha procedurat ligjore dhe është transparent.

Ndërsa kanë thënë se do të jetë një projekt modern dhe model për të gjithë Kosovën

“Drunjtë ka qenë e nevojshme që të hiqen, banorët që jetojnë aty janë të vetëdijshëm për këtë. Ka ndodhur shumë herë që drunjtë janë rrëzuar për shkak të kalbjes, vjetërsisë. Në këtë rrugë, vit pas viti janë zëvendësuar drunjtë sipas nevojës, dmth nuk kanë qenë të njëjtë. Tani do të jenë të gjithë të njëjtë”, thuhet në përgjigjen e komunës së Gjakovës.

Në anën tjetër, partia Alternativa dhe Lëvizja Vetëvendosje, degët në Gjakovë, kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për prerjen e pemëve.

Në njoftimin e këtyre dy partive opozitare në Gjakovë, thuhet se Ardian Gjini ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, duke e mbajtur të fshehtë projektin për zgjerimin e rrugës dhe nuk ka zhvilluar procedurat ligjore për konkursin e projektimit.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje prej kryetarit Gjini për kallëzimin penal ndaj tij, por ai nuk ka pranuar të përgjigjet duke thënë se ‘nuk e komentoj fare’.

Alternativa dhe Vetëvendosje dorëzojnë kallëzim penal ndaj Ardian Gjinit për prerjen e pemëve në Gjakovë

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.