Prokuroria: Rasti i vrasjes me thikë i 19 vjeçarit nga Gjilani ende vazhdon të hetohet

Kanë kaluar një vit që nga vrasja me thikë e 19 vjeçarit nga Gjilani, por që kryesi i veprës nuk është gjetur ende.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në mënyrë intensive kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me zbardhjen e rastit të 19 vjeçarit, i cili është privuar nga jeta më 23 tetor 2020 në Gjilan.

“Për hir të korrektësisë dhe njoftimit sa më të saktë të opinionit publik, ju njoftojmë se  Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, që nga vrasja e të ndjerit E.S., e deri më tani janë  marrë dhe do të vazhdojnë të merren intensivisht me hetimin e këtij rasti, deri në identifikimin e personave të dyshuar të mundshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Lidhur me këtë rast, sot në orën 16:00 është paralajmëruar një protestë para Kuvendit Komunal ne Gjilan për rastin e një vjetorit të vdekjes së 19 vjeçarit i cili u gjend i vdekur para banesës së tij.