Vrasje në Gjilan, theret me thikë një 19 vjeçar

Pak minuta pas mesnatës ka ndodhur një vrasje në Gjilan. Një 19 vjeçar ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga një therje me thikë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Zëdhënësi i policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani.

“Më 23.10.2020 rreth orës 00:06, stacioni policor në Gjilan kanë marrë një informate se ne rrugën “Gjon Sereqi” në Gjilan është një person i lënduar, dyshohet me mjet të mprehtë. Patrullat policore ju kanë përgjigjur informatës ku në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën E. S. (2001)”, tha Hashani.

Ai tutje tregoi se 19 vjeçari është dërguar me urgjencë ne spitalin rajonal në Gjilan e më pastaj është  dërguar në QKUK-në Prishtinë.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurori i shtetit, njësitet e hetimeve dhe forenzika rajonale”, tha Hashani.

Rreth dy orë pas ngjarjes policia është njoftuar se viktima ka vdekur.

“Rreth orës 01:55 nga QKUK jemi njoftuar se viktima i dërguar nga Gjilani në Prishtinë kishte ndërruar jetë”, tha Hashani.

Me urdhër te prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML.

Deri më tani nuk ka ndonjë person të arrestuar.

“Për momentin askush nuk është arrestuar. Policia e Kosovës po punon intensivisht në zbardhjen e rastit”, tha ne fund Hashani për KALLXO.com.