Prokuroria e shtetit pa përgjigje pse ndodhi helmimi në votat nga Serbia

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimin e rastit të helmimit të zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor të cilët u helmuan deri sa filluan t’i verifikonin votat të cilat kishin ardhur nga Serbia.

Që nga 13 tetori, kur kishte ndodhur ngjarja deri më tani saktësisht kanë kaluar dy muaj e tre ditë dhe ende nuk është zbardhur misteri i helmimit të zyrtarëve të KQZ-së.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Prokurorisë Themelore të Prishtinës të dijë se deri ku ka shkuar hetimi i rastit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë se ende janë në pritje të rezultateve të analizave të ekspertizës e cila është dërguar jashtë shtetit.

“Sa i përket rezultateve të analizave, jemi në pritje të tyre, pasi që ende nuk kanë arritur në shtetin tonë”, tha Ulaj për KALLXO.com.

Tutje në përgjigjet e Ulajt, thuhet edhe se janë duke u zhvilluar hetimet ndërsa janë intervistuar edhe disa persona për këtë çështje, por që nuk dha detaje për numrin e të intervistuarve.

KALLXO.com edhe para një muaji ka raportuar në lidhje me pa-aftësinë e prokurorisë për të zbardhur rastin e helmimit të zyrtarëve të KQZ-së nga zarfet me vota të ardhura nga Serbia.

Si kishte ndodhur ngjarja

Më 13 tetori, zyrtarët e KQZ-së kishin filluar të numëronin votat e ardhura nga Serbia të cilat gjendeshin në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës.

KALLXO.com kishte qenë brenda sallës ku kishin filluar të numëroheshin votat të cilat më pas do të barteshin për në QNR.

KQZ-ja diskuton për 4,500 zarfet me vota të diasporës

Në atë kohë, 26 zyrtarë të KQZ-së të cilët ishin angazhuar për numërim, dyshoheshin se ishin helmuar pasi kishin filluar të hapni zarfet në të cilat gjendeshin votat e ardhura nga Serbia.

Vendi ku dyshohej se kishte ndodhur helmimi, ishte rrethuar me shirita të policisë dhe më pas forenzika kishte kryer punën e saj duke marrë mostrat e dyshuara.

VIDEO- Salla ku dyshohet se ndodhi helmimi me zarfa

Një muaj më parë, kur ishte kontaktuar nga KALLXO.com, Laura Pula, prokurore pranë Kryeprokurorisë së Shtetit kishte treguar se çfarë kishin përmbajtur votat e ardhura nga Serbia.

“Ne jemi konkretisht në hetime për ta zbuluar se kush e ka bërë, ndërsa çfarë përmbajtje ka nga ekspertët e forenzikës së Policisë së Kosovës është konstatuar se janë agjent me përmbajtje irrituese, d.m.th zarfet e kontaminuar kanë pasur agjent me përmbajtje irrituese, këtë e kemi marrë nga raporti”, kishte thënë Laura Pula.

Misteri i helmimit të votave prokuroria e pa aftë ta zbuloj shkaktarin

Pula më tej kishte thënë se sipas agjenteve të forenzikës kur është bërë identifikimi i vendit të ngjarjes është konstatuar se agjenti me përbërje irrituese është shfaqur në kuti.

“Helmimi ka qenë në kuti, në momentin kur e kanë hapur kutinë dhe kur kanë nisur me i marrë zarfet e mëdhaja…Agjentet e forenzikës më kanë thënë mua se me 13 tetor kur është bërë identifikimi te vendi i ngjarjes dhe kur janë shfaq irritimet e komisionerëve me rastin e hapjes së kutive aty kanë konstatuar se në kutia u është shfaq qekjo material irrituese d.m.th agjent me përbamje irrituese…”, kishte thënë më tej prokurorja Laura Pula.

Drama e krijuar nga votat e ardhura nga Serbia

Pas dyshimeve se votat e ardhura nga Serbia ishin të helmuara, nga ku pësuan alergji 26 zyrtarë të cilët ishin angazhuar nga KQZ për verifikim, drama vazhdoi.

Por, edhe përkundër kësaj ngjaje jo të zakonshme, verifikimi i tyre u bë dhe u numëruan në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Më 7 nëntor, një ditë e një muaj prej kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, KQZ shpalli rezultatet parlamentare.

Rezultati nxori si forcën e parë politike, Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit me 32 deputetë. Pas saj u renditë LDK me 29 deputetë.

E treta parti politike më e madhe doli PDK me 25 ndërsa 14 deputetë mori koalicioni AAK-PSD.Pas rezultateve përfundimtare, jashtë Kuvendit të Kosovës mbeti koalicioni NISMA-AKR-PD.

Por, partia e Fatmir Limajt bëri ankesë në adresë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndaj votave të ardhura nga Serbia.

Sipas Nismës Socialdemokrate, votat e ardhura nga shteti serb u sollën jashtëligjshëm.

PZAP e vlerësoi si të bazuar ankesën e kësaj partie dhe urdhëroi KQZ-në që t’i largoj nga rezultati përfundimtar.

Kjo gëzoi fortë kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili doli para gazetarëve për të dhënë lajmin se koalicioni NISMA-AKR-PD do t’i ketë gjashtë ulëse në legjislaturën e shtatë.

Kalimi i pragut zgjedhor nga koalicioni NISMA-AKR-PD, partive tjera ua zvogëlonte përfaqësimin në Kuvend. LVV nga 32 deputetë, sipas rezultateve përfundimtare, do t’i kishte 29 deputetë. LDK nga 29 në 28, PDK nga 25 në 24 dhe koalicioni AAK-PSD nga 14 në 13 deputetë.

E ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, , Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, dorëzuan ankesë panë Gjykatës Supreme të Kosovës. Këtë e bëri të ditur Adnan Rrustemi, anëtar i LVV-së në KQZ.

Më 14 nëntor, Gjykata Supreme e Kosovës e hodhi poshtë ankesën e tyre.

PZAP, dy vendime të ndryshme për të njëjtën ankesë të Nismës për votat nga Serbia

Vetëvendosje i ndërron fjalët për votat nga Serbia