KQZ-ja diskuton për 4,500 zarfet me vota të diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka marrë vendim sa i përket votave të diasporës që kanë mbërri në Kosovë pas datës 5 tetor, ashtu sic kërkohet me ligj. Anëtarët e KQZ-së janë përplasur rreth këtyre votave, duke paraqitur qëndrime të ndryshme nëse duhet apo jo që t’i pranojnë si vota të rregullta.

Përkundër përplasjeve, KQZ-ja nuk ka marrë asnjë vendim rreth votave të diasporës në mbledhjen e mbajtur sot ku është raportuar lidhur me rinumërimin e vendvotimeve sipas vendimit të KQZ-së, dhe lidhur me procesin e votimit përmes postës.

Në këtë mbledhje është raportuar se 4 mijë e 500 dërgesa me postë nga diaspora kanë arritur në KQZ pas afatit përfundimtar, por që gjatë verifikimit të tyre është vërejtur se datat e nisjes së tyre nga shtetet e caktuara janë brenda afatit.

“Me postë kanë ardhur 15 mijë 795, mbi 3 mijë zarfe nga Serbia, këto zarfe janë dërguar fizikisht në postë. Mbi 4 mijë zarfe kanë arritur pas afatit, gjatë verifikimit kemi vërejtur se janë futur në posta ndërkombëtare dhe mbajnë datat 19, 20”, tha Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit të Votuesve.

Në mbledhjen e KQZ-së, kryetarja e komisioni Valdete Daka është njoftuar se përmes postës deri më datë 5 tetor kur ka qenë data e fundit për pranimin e zarfave nga dispora janë pranuar 15 mijë e 794 dërgesa, kur deri më tani 15 mijë e 484 prej tyre janë futur në sistem.

Përfaqësuesi i VV-së në KQZ ka thënë se votat e dërguara nga diaspora që kanë ardh me vonesë në Kosovë duhet të pranohen në aspektin procedural.

“KQZ duhet ta autorizojë njësinë e votimit jashtë vendit ne sekretariat dhe t’i procedojë këto dërgesa në qendrën e numrit të rezultateve, nëse i plotësojnë të gjithë kërkesat tjera ligjore. Për mu nuk ka asnjë pengesë operacionale dhe kjo nuk është diçka e paprecedentë, pasi edhe vitin e kaluar kemi pasur vendime të ngjashme”, ka thënë Adnan Rrustemi, përfaqësuesi i VV-së.

Rrustemi ka thënë se KQZ-ja i ka shkurtuar të gjitha afatet e parapara në ligj, meqë kemi të bëjmë me zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, ai e ka pranuar se ligji thotë se këto vota duhet të pranohen para datës së votimit.

Por, Sami Hamiti nga LDK-ja ka thënë se pranimi i votave që vijnë pas afatit nuk është në përputhje me ligjin, përkundër që mundet me qenë jopopullore kjo gjë. Njëjtë duhet me u trajtu edhe votat që kanë ardh nga Serbia.

“Njësia duhet ta zbatojë ligjin, në të dy raste. Janë bërë lëshime në të kaluarën, por është marrë një qëndrim që më ska me dokumente të tjera dhe nuk do t’i prishim procedurat. Kemi marrë qëndrim që asnjë votë që vjen pas afatit nuk do të pranohen”, tha Hamiti.

Përveç kësaj, Hamiti ka thënë se votat që vijnë me postë në KQZ duhet ta kenë vulet e vendit prej nga është nis, përkatësisht nga vendi ku është regjistru votuesi jashtë Kosovës.

Poashtu në këtë mbledhje nga përgjegjësit e KQZ-së është bërë e ditur se kanë arritur edhe 3 mijë e 782 zarfa nga Serbia, ku përgjegjësit e KQZ-së gjatë verifikimit të këtyre zarfave kanë hapur 150 prej tyre dhe kanë vërejtur se zarfi dërgues është identik me ngjyrë dhe madhësi në 150 raste.

Pas diskutimeve nga anëtarët e KQZ-së, kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka ka udhëzuar përgjegjësin e procesit të verifikimit të votave të diasporës që të vazhdoj punën e tij në bazë të ligjit.

“Kërkoj që të zbatohet ligji për të gjitha votat të cilat kanë ardhur, të shqyrtohet ligjshmëria e zarfeve dhe pastaj të vendoset nëse janë të pranueshme. Kërkoj nga të gjithë që ta lini ta bëjë punën e tij”, ka thënë Daka.

Pas përplasjeve në mes të anëtarëve të KQZ-së nuk është marrë asnjë vendim sa i përket votave që kanë ardh nga diaspora dhe nga Serbia.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë se rreth 3,700 zarfe me vota të serbëve nga Kosova të shpërngulur në Serbi, shumica e tyre të shkruar me ngjyrë të njëjtë, kanë ardhur nga Serbia në Kosovë.

Këta zarfe nga Serbia në Kosovë, të cilat do të duhej të vinin me postë sikurse edhe votat e diasporës, kanë ardhur në Kosovë nën shoqërimin e Policisë.