Vota, QNR FOTO-KALLXO.com

PZAP, dy vendime të ndryshme për të njëjtën ankesë të Nismës për votat nga Serbia

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur dy herë lidhur me ankesat e koalicionit NISMA-AKR-PD për shpalljen e pavlefshme të 3.782 fletëvotimeve të ardhura nga Serbia.

Fillimisht më 30 tetor 2019, Paneli i përbërë nga gjyqtarët Gyltene Sylejmani, Rrustem Thaqi dhe Ferki Rexhepi, kishin hedhur poshtë ankesën e koalicionit NISMA-AKR-PD për anulimin e fletëvotimeve të ardhura nga Serbia.

Ky Panel e kishte hedhur poshtë ankesën për anulimin e fletëvotimeve të ardhura nga Serbia për shkak se e kishte vlerësuar si të pasafatshme.

PZAP në vendimin e datës 30 tetor 2019 nuk ishte lëshuar fare në vlerësimin meritor (pra, nuk e kishte vlerësuar përmbajtjen e ankesës), por kishte vendosur vetëm në bazë të afatit të ankesës, duke konstatuar se ajo ishte e pasafatshme.

Në arsyetim, PZAP kishte shkruar se ankesa e paraqitur nga koalicioni NISMA-AKR-PD ishte paraqitur jashtë afatit ligjor të paraparë me nenin 105 par 1, të Ligjit për Zgjedhjet në Kosovë.

Lidhur me ankesat e koalicionit NISMA-AKR-PD ndaj votave të ardhura nga Serbia, PZAP më 11 nëntor 2019 vendosi në mënyrë meritore duke i vlerësuar ankesat e koalicionit dhe përgjigjet e KQZ-së lidhur me këto vota.

Me këtë vendim PZAP urdhëroi KQZ-në që t’i largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të gjitha votat e përfshira nga fletëvotimet e ardhura me pako nga Serbia.

Sipas PZAP-së, votat e dorëzuara në postë fizikisht nga ana e dy personave nuk janë në përputhje me ligjet në fuqi.

Sipas Panelit, që një votë nga jashtë të trajtohet si e vlefshme duhet që të plotësohen këto kushte: Plotësimi i formularit me të dhënat e kërkuara pas shkarkimit të të njëjtit, dërgimi i të njëjtit me të dhënat e dërguara në adresën postare të fahut postar, të shpallur publikisht nga KQZ-ja.

Në rastin konkret, sipas PZAP-së, fakti se këto pako janë dorëzuar fizikisht nga persona të caktuar nënkupton se nuk kemi dërgim por kemi dorëzim dhe me këtë rast nuk është plotësuar kushti i dërgimit të pakove me vota pasi nuk e kemi postën dërguese mirëpo vetëm atë pranuese.

PZAP, po ashtu, thekson se fakti se fletëvotimet kanë arritur në postë pa vulë të postës dërguese dhe pa pullë postare të njëjtat nuk mund të kategorizohen si fletëvotime nga jashtë dhe si të tilla nuk janë konform rregullave në fuqi andaj konsiderohet si të pavlefshme.

Pranimin e këtyre fletëvotimeve në PZAP e ka arsyetuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së, këto fletëvotime janë pranuar duke u bazuar në praktiken e mëhershme të pranimit të këtyre pakove me fletëvotime.

KQZ-ja ka theksuar se këto paku më parë janë dorëzuar përmes OSBE-së, mirëpo sipas PZAP-së praktikat që janë në kundërshtim me ligjin nuk e obligojnë Panelin në këtë rast.

Paneli ka sqaruar se në të kaluarën nuk ka pasur ndonjë ankesë të tillë sikurse në rastin konkret.

“Në të kaluarën PZAP nuk ka pasur rast kur fletëvotimet që nuk janë dorëzuar në përputhje me ligjin dhe rregullën zgjedhore janë pranuar si të vlefshme dhe të njëjtat janë atakuar te PZAP, po ashtu PZAP për secilin rast vendos në mënyrë të veçantë pasi rastet janë individuale”, thuhet në vendim.

Ky Panel ka marrë parasysh edhe rrethanën nëse cenohen të drejtat kushtetuese të personave votat e të cilëve me këtë vendim anulohen.

Sipas PZAP-së, këta qytetarë kanë pasur mundësinë që të votojnë sikurse çdo qytetar jashtë vendit, dhe se gjatë këtyre zgjedhjeve nga Serbia përmes postës kanë ardhur 5 pako me fletëvotime përmes Maqedonisë së Veriut, e që paraqet mënyrë të rregullt të votimit.

PZAP vlerëson se mënyra e tillë e dëgjimit të votave duke i dorëzuar direkt në fahun postar të KQZ-së, i ngjason më shumë votimit kolektiv, i cili e cenon rëndë integritetin e procesit zgjedhor.