Vota, QNR FOTO-KALLXO.com

Misteri i helmimit të votave prokuroria e pa aftë ta zbuloj shkaktarin

Kanë kaluar më shumë se një muaj që prej kur Prokuroria e Shtetit është duke hetuar rastin e helmimit të zyrtareve të KQZ-së të cilët u helmuan përderisa filluan t’i verifikonin votat e ardhura nga Serbia.

Më 13 tetor, derisa po verifikoheshin pakot me vota të ardhura nga Serbia,  26 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, dyshohet se u helmuan.

Zyrtarët pësuan alergji pas kontaktit me këto pako.

https://kallxo.com/lajm/disa-verifikues-te-prekur-nga-alergjia-udhezohen-per-ne-kliniken-infektive/

Pas më shumë se një muaji që kur u alarmua se votat e ardhura nga Serbia mund të jenë të helmuara, ende nuk është arritur të kuptohet se si ndodhi ky incident.

KALLXO.com për disa ditë me radhë ka provuar të kontaktoj me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës për të kuptuar nëse është arritur të konstatohet nëse helmi ka qenë brenda pakove/kutive apo në brendi të zarfeve por asnjëri nga ky institucion nuk ka arritur të na jap një përgjigje lidhur me pyetjen tonë.

KALLXO.com fillimisht ka kontaktuar me Laura Pula, prokurore pranë zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, e njëjta për redaksinë tonë ka thënë se ende nuk është zbuluar se si dhe kush e ka bërë helmimin por vetëm është kuptuar se helmi ka përmbajtur agjent me përbërje irrituese.

“Ne jemi konkretisht në hetime për ta zbuluar se kush e ka bërë, ndërsa çfarë përmbajtje ka nga ekspertët e forenzikës së Policisë së Kosovës është konstatuar se janë agjent me përmbajtje irrituese, d.m.th zarfet e kontaminuara kanë pasur agjent me përbamje irrituese, këtë e kemi marrë nga raporti”, tha Laura Pula.

Pula më tej tha se sipas agjenteve të forenzikës kur është bërë identifikimi i vendit të ngjarjes është konstatuar se agjenti me përbërje irrituese është shfaqur në kuti.

“Helmimi ka qenë në kuti, në momentin kur e kanë hapur kutinë dhe kur kanë nisur me i marrë zarfet e mëdhaja…Agjentet e forenzikës më kanë thënë mua se me 13 tetor kur është bërë identifikimi te vendi i ngjarjes dhe kur janë shfaq irritimet e komisionerëve me rastin e hapjes së kutive aty kanë konstatuar se në kutia u është shfaq qekjo material irrituese d.m.th agjent me përbamje irrituese…”, tha më tej prokurorja Laura Pula.

KALLXO.com më pas kontaktoi edhe me prokuroren e rastit Bukurije Gjonbalaj e cila tha se rasti ende është duke u hetuar por që Prokuroria ende nuk ka asnjë pistë.

“Unë si prokurore e rastit, përveç që jam duke i bërë hetimet ende nuk e kam asnjë pistë….sipas asaj që e kemi ne nuk thuhet se kur janë hapur kutia por kur kanë filluar me i hap zarfet ka dalë ajo, mirëpo ende është gjithçka në hetim….këtë na e vërteton vetëm ekzaminimi që ende nuk është kry”, ka thënë prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj.

Përpos Prokurorisë KALLXO.com përmes telefonit si dhe përmes email-it u ka drejtuar pyetje edhe Policisë së Kosovës për t’i pyetur lidhur me rastin në fjalë, por të njëjtit kanë refuzuar të na japin ndonjë përgjigje.

Ndonëse Gjykata Supreme ka vendosur që rreth 3 mijë vota të ardhura nga Serbia nuk do të jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit, edhe një muaji pas këtij incidenti, Prokuroria e Shtetit dhe Policia nuk kanë arritur të konstatojnë nëse helmimi ka ndodhur në Serbi apo në Kosovë.

https://kallxo.com/lajm/supremja-vendos-per-votat-nga-serbia/