Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Procesi gjyqësor ndaj ministrit Sveçla për pjesëmarrje në protestën e vitit 2013 drejt vjetërsimit

Procesi gjyqësor ku i akuzuar është ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe 9 të tjerë për pjesë marrje në protestën e vitit 2013 është duke ardhur drejtë fundit.

Fundin ky gjykim pritet ta prek pa ndonjë vendim meritor, pasi që shumë shpejtë pritet që lënda të vjetërsohet (parashkruhet).

Ministri Sveçla dhe të tjerët kishin marrë pjesë në protestën e vitit 2013 duke hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të tyre, si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar zyrtarët policorë, si dhe disa automjete të policisë ishin dëmtuar.

Vepra për të cilën Sveçla dhe të tjerët akuzohen sipas kodit penal të vitit 2013 dënohet me dënim me gjobë nga 200 deri në 10 mijë euro ose dënim me burgim deri në pesë vite.

Vjetërsimi (parashkrimi) i lëndës për këtë rast pritet të bëhet më 27 qershor të këtij viti duke marrë për bazë që vepra penale është kryer me 27 qershor të vitit 2013.

E që i bie që në datën e lartcekur, do bëhen plotë 10 vite që nga momenti kur dyshohet se është kryer vepra penale.

Në rast se arrihet parashkrimi absolut, kjo çështje penale më nuk mund të gjykohet edhe një herë, madje për këtë rast nuk mund të ketë as vendim meritor (aktgjykim lirues apo dënues).

Çka është parashkrimi absolut?

Me parashkrim absolut kuptohet se lënda vjetërsohet, çka nënkupton se asnjë veprim nuk mund të merret më nga gjykata, pra rasti nuk mund të gjykohet tutje dhe nuk merret vendim meritor për palët e akuzuara.

Sipas legjislacionit, parashkrimi absolut i ndjekjes penale paraqitet kur kalon dyfishi i kohës që kërkohet sipas ligjit për parashkrimin, pa marrë parasysh në ndërprerjet apo ndaljet eventuale të mëparshme.

Lidhur me rastin e parashkrimit KALLXO.com ka dërguar pyetje në gjykatën e Prishtinës, tek zëdhënësja e Gjykatës Mirlinda Gashi, por që deri në publikimin e këtij lajmi, nuk kemi pranuar ndonjë përgjigjë për këtë çështje.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me mbrojtësin e të akuzuarit Sveçla, Emin Zariqi, i njëjti tha se nuk ka ndonjë konfirmim nga Gjykata lidhur me parashkrimin dhe se procesi gjyqësor është duke vazhduar.

“Lënda është në proces, nuk kemi diçka ndonjë konfirmim zyrtar, pa na ardh diçka, ndonjë konfirmim zyrtar nuk di çka të them”- tha Zariqi.

Lidhur me parashkrimin e kësaj lënde për KALLXO.com ka folur edhe mbrojtësi i Dardan Molliqajt, Driton Musliu i cili tha se parashkrimi për këtë lëndë sipas ligjit është shumë afër.

“Po në bazë të ligjit qashtu është, në bazë të ligjit parashkrimi është shumë afër, nuk e di saktë…, parashkrimi ka pas me ndodhë shumë afër”- tha Driton Musliu.

Për këtë rast të akuzuar janë ministri i |Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Dardan Molliqaj, Pajtim Havolli, Arsim Maqastena, Agron Kabashi, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Afrim Hoxha. Lënda ishte veçuar edhe ndaj  Sami Avdiut, Bekim Shkodrës dhe Besnik Qelajt, dy të fundit kishin pranuar fajësinë për veprën penale të huliganizmit.

Bekim Shkodra akuzohej edhe për sulm ndaj personave zyrtar.

Në seancën e 29 marsit të këtij viti prezent në sallë ishin vetëm Azemi, Demaj e Hoxha.

Kurse Sveçla së bashku me gjashtë të tjerët, Dardan Molliqajn, Nol Nushin, Frashër Krasniqin, Arsim Maqastenën, Pajtim Havollin e Agron Kabashin nuk kishin prezantuar në gjykatore.

Mungesa e të akuzuarve kishte detyruar gjyqtarin Eroll Gashi që lëndën ndaj 7 të akuzuarve që kanë munguar, ta veçoj, për tu gjykuar ndaras e ku procesi për këtë lëndë është dukë vazhduar ende.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com të pandehurit më datën 27.06.2013 në Prishtinë me qëllim të dëmtimit të personave zyrtar- Policëve të Kosovës, me veprime të dhunshme, huligane, kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të tyre.

Sipas aktakuzës si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar zyrtarët policorë.

Gjithnjë sipas aktakuzës me këto veprime të njëjtit i kanë dëmtuar uniformat dhe pajisjet e zyrtarëve policorë.

Të njëjtit gjithashtu kishin dëmtuar disa automjete të policisë së Kosovës.