Prizreni nis një autoambulancë për në Shqipëri

Komuna e Prizrenit ka marrë vendim që drejt shtetit shqiptar të nisë një autoambulancë e pajisur me mjete të ndihmës së shpejtë dhe ekip mjekësor të nisen drejt zonës së prekur nga tërmeti.

Sipas komunës,  në gatishmëri do të jetë edhe automjeti i zjarrfikësve.

Njëkohësisht nga ana e komunës u nda edhe një buxhet i konsiderueshëm për t’i ofruar ndihmë personave të prekur me anë të pakove ushqimore dhe veshmbathjeve.

Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit mori përsipër që të bëjë organizimin e grumbullimit të ndihmave nga qytetarët për t’i dërguar ato më pas në Shqipëri, derisa nga Drejtoria Komunale e Arsimit u udhëzuan të gjithë drejtorët e shkollave, që të jenë në gjendje gatishmërie dhe të japin udhëzime tek nxënësit se si të veprohet në raste të tilla emergjente kur ndodhin tërmetet.

Ndërsa, nga ana e Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë dhe Spitalit Rajonal, u raportua se në Prizren dhe rajon nuk ka pasur dëme të raportuar nga ky tërmet, derisa ekipet e policisë  kanë në dispozicion kapacitete të mjaftueshme për t’i menaxhuar rastet emergjente dhe gjithashtu u formua edhe ekipi me plan emergjent, i cili do të qëndrojë në gatishmëri dhe do të jetë në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha organet përgjegjëse për të interventuar në raste emergjente.

Në takim gjithashtu u bë i ditur se alarmi i sigurisë në qytet është në funksion dhe ai mund të aktivizohet në raste kur mund të ndodh tërmeti me shkallë të lartë, në mënyrë që të njoftohen qytetarët për t’i liruar shtëpitë dhe banesat e tyre duke dalë në hapësirat e jashtme për të qenë më të sigurt.

Në bazë të raportimeve të mediave shqiptare deri më tani nga tërmeti i cili ka ndodhur orën 1:18 minuta pas mesnate, për t’u pasur edhe me 11 tërmete të tjera, ku ai i orës 03:54 ishte më i fortë me magnitudë 6.4 ballë.

Sipas mediave në Shqipëri deri më tani kanë humbur jetën 13 persona.

28 persona janë shpëtuar nga rrënojat e pallateve në Thumanë dhe Durrës, por raportohet gjithashtu për një numër të konsiderueshëm njerëzish që kanë mbetur të bllokuar në rrënojat e godinave të shembura në këto zona.