Komuna e Prizrenit shton edhe një shërbim në kujdesin shëndetësor

Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren nga sot do të ofrojnë edhe shërbimin e ultrazërit abdominal për pesë ditë në javë.

Po ashtu, gjatë këtyre ditëve do të zgjatet edhe orari nga ora 07:00 deri në ora 12:00, për dallim prej herëve të tjerë kur është ofruar vetëm dy orë në ditë.

Sipas njoftimit të komunës, ky shërbim përveçse në QKMF tani po ofrohet edhe në QMF 1 (ish ambulanta e dhëmbëve), QMF Kurillë dhe QMF Reçan, në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata për të caktuar termine. Ndërsa me përfundimin e punimeve të ndërtimit të QMF-ve në Gjonaj dhe Zhur, shërbimi i ultrazërit abdominal do të ofrohet edhe në këto dy fshatra.

Komuna gjithashtu ka njoftuar se me anë të këtij riorganizimi, qytetarët do të përfitojnë edhe në aspekt të zvogëlimit të kostos së shpenzimeve, pasi që do të mund t’i marrin shërbimet në qendrën më të afërt të shëndetësisë primare dhe do të kenë më pak shpenzime të udhëtimit.