Komuna e Prizrenit përuron terrene sportive në lagjen "11 Marsi"

Komuna e Prizrenit sot ka përuruar hapësirën për aktivitete sportive në oborrin e shkollës “Lekë Dukagjini”.

Sipas njoftimit të komunës, kjo hapësirë do të shfrytëzohet nga banorët e lagjes “11 Marsi”, të cilët janë adhurues të basketbollit, volejbollit, hendbollit dhe tenisit.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka përmes një publikimi në Facebook ka treguar se deri më tash kjo hapësirë nuk ka qenë e shfrytëzueshme.

“Hapësira deri tani e pashfrytëzuar pranë shkollës “Lekë Dukagjini”, tash e tutje do t’i shërbejë nxënësve dhe të rinjve që merren me aktivitete të ndryshme sportive. Kjo hapësirë multifunksionale me 3 terrene të ndara, ku mund të zhvillohen aktivitete sportive të futbollit, basketbollit, volejbollit, hendbollit dhe tenisit, do të jetë një mundësi e re për gjeneratat e reja që ta zhvillojnë talentin e tyre. Me këtë projekt është përmbushur një mungesë e lagjes “11 Marsi”, e cila ka pasur nevojë për hapësirave rekreative dhe sportive, duke qenë një prej lagjeve më të mëdha në qytet. Uroj që këto investime të shfrytëzohen maksimalisht dhe krahas kësaj të kemi edhe përkujdesje maksimale për mos t’i dëmtuar ato”, ka shkruar Haskuka.

Në këtë hapësirë është bërë ndërtimi i një terreni për futboll, basketboll, volejboll dhe hendboll, si dhe dy terrene për tenis. Krahas kësaj janë ndërtuar edhe tribunat, rrethojat, zhveshtoret dhe ndriçimi.

Shuma totale e projektit është 120 mijë euro, e realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.