Prizren, i akuzuar për kontrabandim me migrantë, i pandehuri kërkon negocim për pranimin e fajësisë

I pandehuri Samir Hoxhiq, i akuzuar për kontrabandë me migrantë, është ulur në bankën e të akuzuarit për t’u përballur me aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit.

Sipas dosjes, Hoxhiq u ndalua nga Policia dhe gjatë kontrollit u zbuluan 4 shtetas të huaj-emigrantë pa dokumente identifikimi.

Emigrantët pranuan se Hoxhiq u premtoi t’i dërgonte në Serbi për një shumë prej 500 euro për secilin prej tyre.

Megjithëse, në seancën fillestare, i pandehuri nuk pranoi fajësinë, ai shprehu dëshirën për të negociuar me Prokurorinë për marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë.

Gjykatësja Ajser Skenderi udhëzoi palët të negociojnë për këtë marrëveshje brenda 30 ditëve, në të kundërtën, avokati dhe i pandehuri duhet të paraqesin kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Samir Hoxhiq më 16 maj 2023, në pikën kufitare në Vërmicë, me dashje merret me kontrabandim të migrantëve me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër nga hyrja e paligjshme e personave të cilët nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës.

Tutje në akuzë thuhet se pasi Policia kufitare e ndalon kamionin të cilin e drejtonte i pandehuri, pas kontrollit vëren 4 shtetas të huaj-emigrantë dhe atë 3 persona nga Maroku dhe 1 nga Palestina, të cilët nuk kishin dokumente të identifikimit.

Organi i akuzës thotë se pas intervistimit të tyre, emigrantët kanë pranuar se kanë bërë ujdi me të pandehurin që ky i fundit u ka premtuar atyre se do t’i dërgojë në Serbi për shumën e të hollave prej 500 euro për secilin prej tyre, gjithsej 2 mijë euro.

Me këtë sipas Prokurorisë i pandehuri ka kryer veprën penale – kontrabandim me migrantë.