Foto: KALLXO.com

Prizren, akuzohet se u kap me kokainë, dënohet me burg dhe gjobë

Leutrim Hoda është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë pasi akuzohej se ishte kapur me 102.31 gramë kokainë në pikën kufitare të Vërmicës.

I pandehuri në shqyrtimin fillestar e kishte pranuar fajësinë.

Sipas Prokurorisë, më 6 maj 2023, të pandehurit në automjet iu gjetën dy qese me kokainë. Kurse pas një urdhër kontrolli në shtëpi i ishin gjetur dhe sekuestruar tri peshore dixhitale dhe tri pako me folie.

Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit të së martës u dha fjala hyrëse dhe ajo përfundimtare.

Prokurori i çështjes, Petrit Kryeziu, ka deklaruar se me rastin e ngritjes së aktakuzës është krijuar dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka importuar narkotikë të llojit kokainë nga Shqipëria në Kosovë.

Prokuroria ka kërkuar që gjatë matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat rënduese si pesha e veprës, mënyra e kryerjes së veprës penale, shkallën e dashjes, rrezikshmëria shoqërore e kësaj vepre si dhe faktin se 1 gram i kësaj droge shitet për 100 euro.

Në bazë të evidencave, po ashtu, rezultonte se i pandehuri ishte recidivist i veprës penale.

“Nga e kaluara kriminale rezulton se i njëjti nuk është hera e parë që ka pasur vepra të tjera penale, veçanërisht ka qenë i dënuar për të njëjtën vepër me burgim. Këto rrethana tregojnë se tek i njëjti nuk është arritur risocializimi por sërish ka vazhduar me veprat e natyrës së njëjtë” – shtoi prokurori Kryeziu.

Si rrethanë lehtësuese prokurori ka përmendur faktin se i akuzuari ka pranuar fajësinë.

Në anën tjetër, Bekim Parallangaj, mbrojtës i të pandehurit, ka thënë se në ditën kritike Hoda kishte pranuar sasinë e narkotikut si rezultat i fitimit në lojërat e fatit në Fushë Krujë.

“Të njëjtit i është imponuar pranimi në kompensim të të hollave, faktin se është përdorues i narkotikëve dhe këtë sasi e ka pranuar me qëllim të konsumimit të tij personal dhe jo të shpërndarjes së tij” – deklaroi avokati Parallangaj.

Edhe i pandehuri theksoi se ndihet fajtor dhe kërkoi nga gjykata një dënim më të butë.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, Leutrim Hoda u dënua me 1 vit e 8 muaj burg dhe 1,000 euro gjobë.

Ndaj të njëjtit Gjykata ka vazhduar edhe masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Hoda u obligua që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 100 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave.

Sipas aktakuzës, më 6 maj 2023, në pikën kufitare të Vërmicës, saktësisht në hyrje nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim importon substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë e llojit kokainë.

Tutje thuhet se gjatë një kontrolli nga Policia brenda automjetit i janë gjetur dhe sekuestruar dy qese me lëndë që dyshohet të jetë narkotik i llojit kokainë me peshë të përgjithshme 102.31 gramë.

Po ashtu, gjatë urdhër-kontrollit të kryer në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar  tri peshore dixhitale dhe tri pako me folie.

Me këto veprime ka kryer veprën penale – blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar  e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Palët në këtë procedurë kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh.