Foto: Policia e Kosovës

Gjilan, arrestohet i dyshuari, i gjenden drogë e armë

Policia e Kosovës ka arrestuar më 05.03.2024, në Gjilan, një person të dyshuar për shitblerje të narkotikëve.

Në pronat e tij, Policia njofton se ka sekuestruar 244.8 gramë substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe 47.26 gramë që dyshohet të jetë heroinë. Po ashtu, sipas njoftimit, janë sekuestruar edhe armë, fishekë e gjësende të tjera.

Kontrollimi i shtëpisë së tij, sipas njoftimit të Policisë, është bërë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Gjilan në bashkëpunim me atë në Prishtinë dhe njësitin K9, pas hetimeve afatgjata.

“Është kontrolluar shtëpia dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit A.B (1977), nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike”, vepër kjo e sanksionuar me nenin 267 të KPRK-së” – thuhet në njoftim.

Përveç narkotikëve, Policia thotë se ka sekuestruar dy revole “Zoraki”, dy karikatorë, 13 fishekë, një pushkë ajrore – shurdhues artizanal, një sëpatë të vogël, 6 thika, një elektroshok, një pako të cigareve me hapa, dy peshore, 4 telefona celularë, dy folie të cilat shërbejnë për mbështjellje dhe tymosje, një fishek të kalibrit 8.57, një dozë kokainë e gatshme për shitje, pluhur i bardhë i dyshuar (sodë bikarbonat), shiringë, tableta, enë për tymosje të narkotikut, fishekë me gaz, qese për paketim dhe kuti e zbrazët për ruajtje të narkotikëve.

Foto: Policia e Kosovës