Euro, foto: Pixabay

Prishtinë, sekuestrohen rreth 28 mijë euro, dyshohet të jenë të falsifikuara

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka sekuestruar 28 mijë euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

“Sot, është iniciuar një rast i ‘falsifikimit të parasë’ fillimisht është trajtuar nga zyrtarë policorë të Stacionit Policor ‘Jugu’ në Prishtinë e më pas lënda i ka kaluar hetuesve policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit” – thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, dy të dyshuarit Sh.A. dhe E.I. si arkëtarë të një ndërmarrjeje, kanë deponuar në një nga bankat e kryeqytetit një shumë të parave prej 37,968 (tridhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë) euro. Nga kjo shumë, dyshohet se 27,935 (njezet e shtatë mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) euro janë të falsifikuar.

Paratë që dyshohet të jenë të falsifikuara, sipas Policisë, janë monedha metalike me prerje dy dhe një euro (13,746 x 2 = 27,492 euro dhe 443 x 1=443 euro, pra gjithsej 27,935 euro).

Policia thekson se njësia e forenzikës ka bërë sekuestrimin e monedhave që dyshohet të jenë të falsifikuara dhe më pas të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të vërtetuar origjinalitetin e tyre.

Për rastin është njoftuar prokurori dhe me aktvendim të tij, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.