Prishtinë, Fondi per biznese të vogla, ankesat do hapen nëse ATK nuk ka pasur informata të sakta

Më 15 dhjetor Komuna e Prishtinës publikoi listën e bizneseve të vogla që kishin përfituar nga granti prej 5 milionë eurove.

Nga mbi 7,000 biznese që kanë aplikuar, jashtë listës kanë mbetur 2005 biznese.

Lidhur me këtë listë të përfituesëve pati shumë reagime ku konsiderohej se disa biznese kanë mbetur jashtë listës e disa kanë përfituar pa nevojë.

Klasifikimi i këtyre në të vogla dhe të mëdha është bërë nga Administrata Tatimore e Kosovës si dhe është dashur të jenë të regjistruara në ARBK.

Lista e këtyre bizneseve që kanë aplikuar është dërguar në ATK, të cilët kanë bërë identifikimin nëse janë në Komunës së Prishtinës dhe plotësojnë kriteret e lartpërmendura.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka sqaruar të gjithë këtë procedurë dhe mënyrën si ka ardhur deri te përzgjedhja dhe krijimi i listës.

Ahmeti ka thënë se bizneset e mbetura jashtë listës kanë qenë biznese që ATK i ka konsideruar të mëdha me qarkullim mbi 50,000 euro në vit.

Kurse ato që janë regjistuar këtë vit nuk janë nxënë në befasi, granti nuk është për start-up biznese, mbi 300 kanë qenë nga komuna tjera, disave nuk u ka figuruar numri fiskal në ATK ose kanë qenë me numër fiskal të duplifikuar, ka pasur biznese që nuk janë më aktive, kurse ato që nuk e kanë ndalur veprimtarinë si barnatoret dhe furrat nuk kanë pasur të drejtë të përfitojnë.

Ahmeti tutje ka thënë se, nëse konsiderohet se arsyet e eliminimit nuk janë të sakta, pra që ATK nuk e ka informatën, atëherë do hapet procesi i ankesave, pra vetëm për informata jo edhe për kritere sepse ai proces ka përfunduar.

Kallxo.com ka raportuar se nga ky fond që ka ndarë komuna kanë përfituar edhe qendra të masazhit.

Janë 8 biznese që ushtrojnë veprimtarinë e masazhit e të cilat janë subvencionuar nga ana e Komunës.
7 prej tyre janë subvencionuar me nga 1 mijë e 300 euro ndërsa njëra është subvencionuar me 600 euro.

Kurse, sot gjatë ditës Ministria e Financave ka reagur lidhur me këtë fond ku sipas tyre, Prishtina nuk i ka përmbushur të gjitha procedurat për ekzekutimin e tij, si dhe nuk ka dërguar kërkesë tek Thesari i Shtetit.

Kallxo.com ka drejtuar pyetje për më shumë informata tek zyra për informim në Komunën e Prishtinës, lidhur me afatin për ankesa dhe reagimin e Ministrisë së Financave për këtë fond, por nuk kemi marrë përgjigje deri në momentin e publikimit.

Ministria e Financave: Prishtina nuk i ka kryer procedurat për ekzekutimin e pakos 5 milionë euro për biznese