Presidentja Osmani takon baroneshën Ashton dhe ish-diplomatin Reeker

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar sot baroneshën Cathrine Ashton dhe ish-diplomatin amerikan Philip Reeker.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur përmes një postimin në Facebook se presidentja Osmani mori sot pjesë në drekën e punës me ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme, Baroneshën Cathrine Ashton, dhe ish-diplomatin amerikan Philip Reeker.

Të pranishëm, sipas njoftimit ishin edhe ambasadori i SHBA-ve Jeffrey Hovenier, ambasadori i Britanisë së Madhe Nicholas Abbott, ambasadori i Francës Olivier Guérot, ambasadori i Norvegjisë Jens Erik Grøndahl, zëvendësshefja e zyrës së BE-së, Eva Palatova, si dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad.

“Gjatë takimit u diskutua për ecurinë dhe zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe nevojën për përfundimin me sukses të tij si kontribut i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”- thuhet në postimin e Presidencës në Facebook.

Ish-ndërmjetësja në dialogun Kosovë-Serbi, baronesha Catherine Ashton dhe ish-diplomati amerikan Philip Reeker, kanë marrë pjesë sot në konferencë “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit” mbajt sot  nga  Grupi për Ballkanin në Prishtinë.