Foto: Zyra e Presidentes

Presidentja Osmani nesër pritet t’i adresohet Parlamentit Evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pritet t’i adresohet Parlamentit Evropian nesër (e mërkurë).

Sipas njoftimit të Presidencës, kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian.

“Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta”- thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Osmani do të pritet fillimisht nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.