Presidentja Osmani kërkon drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Për nder të “Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ajo ka bërë thirrje që autorët e këtij krimi të vihen para drejtësisë.

“Sot, ne shohim të mbijetuar në Kosovë që e transformojnë dhimbjen e tyre në veprim të fuqishëm, duke frymëzuar të tjerë të panumërt në kërkimin e drejtësisë. Angazhimi ynë është i palëkundur: duhet t’i nxjerrim autorët para drejtësisë dhe të sigurojmë që mizori të tilla të mos përsëriten kurrë!”- ka shkruar Osmani në rrjetin social X më 22.06.2024.

 

Gratë e burrat që u dhunuan gjatë kohës së regjimit të Slobodan Millosheviqit sipas të parës së shtetit duhet t’i nderojmë për guximin dhe qëndrueshmërinë e tyre.

“Ne vazhdojmë të nderojmë guximin dhe qëndrueshmërinë e atyre që kanë duruar tmerre të papërshkrueshme nën regjimin gjenocidal të Millosheviqit. Këto gra dhe burra të guximshëm na kujtojnë detyrën tonë të përbashkët për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si një armë lufte”- përfundoi ajo.

Që nga themelimi i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës në vitin 2017, deri më tani në fillim të qershorit 2024, 2 mijë e 83 aplikime për status të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës janë dorëzuar në këtë komision, prej të cilave 1 mijë e 650 janë pranuar dhe 316 janë refuzuar.

Ndërkaq, vetëm gjatë këtij viti, 81 persona kanë aplikuar për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Këto të dhëna u shpalosën në raportimin e komisionit përkatës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, i cili në pjesën e dytë u mbajt i mbyllur për media nën arsyetimin se do të diskutohet çështje të ndjeshme. Nga të dy palët u bë thirrje që të ngritet vetëdijësimi dhe që askush mos të mbajë rastet e izoluara, por të paraqiten në komisione për të marrë statusin që ju takon.